KryesoreLajme

Kosova avancon drejt standardeve të BE-së në sigurinë ushqimore

Rëndësia e sigurimit ushqimor, sfida e të qenit vendi me numrin më të vogël të inspektorëve ushqimorë në rajon si dhe përpjekjet e vazhdueshme të vendit për përafrim me standardet e BE-së qenë temat që u shtjelluan në konferencën “Roli i EFSA’s në mbështetjen e vendeve të IPA në rrugën e tyre drejt standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve”.

Në ngjarjen e bashkëorganizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore, ministri Armend Muja theksoi se siguria ushqimore është faktor kyç për shëndetin publik, ekonominë e qëndrueshme si dhe integrimin në BE.

“Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit për sistemin e sigurisë ushqimore. Kemi siguruar financim të fushatave vaksinuese dhe kemi avancuar dukshëm në sistemin e gjurmueshmërisë. Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ende jemi në një fazë të ndërmjetme të progresit sa i përket standardeve të sigurisë ushqimore”, tha Muja.
Ai premtoi reforma në sistemin e inspektimit, nga inspektimi formal do të kalohet në inspektim që bazohet në rrezik. Kjo sipas tij do të mundësojë që bizneset mos të ngarkohen me kontrolle të panevojshme, por të bazohen vetëm në rrezik.
“Deri në vitin 2027, sistemi digjital i plotë i gjurmueshmërisë do të jetë një nga prioritetet tona esenciale në këtë sektor. Siguria ushqimore moderne kërkon një qasje të integruar që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Për këtë arsye, në kuadër të këtij vizioni të ri, do të fuqizojmë qasjen ‘One Health’ . Do të ndërtojmë mekanizma të koordinuar për të adresuar të gjitha rreziqet që i kanosen të gjitha qenieve dhe shëndetit në tërësi”, premtoi ministri Muja.

Lexo më shumë  Vendet bosh të punës në Shqipëri, po i plotësojnë pensionistët, janë shtuar 10 mijë në 2025

Mcmullan: Kosova ka treguar përkushtim drejt standardeve të BE-së

Patrick Mcmullan nga Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore potencoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të siguruar siguri ushqimore. Ai çmoi përkushtimin e Kosovës në raport me afrimin drejt standardeve të BE-së.

“Kosova ka treguar përkushtim të madh në përafrimin e standardeve të saj me ato të Bashkimit Evropian. Ky nuk është vetëm një proces teknik, por një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve tuaj dhe hapjes së tregjeve të reja. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë rrugëtim. Sistemi ‘One Health’ që u përmend më herët është jetik. Ne duhet të kuptojmë se shëndeti i njerëzve është i lidhur pazgjidhshmërisht me shëndetin e kafshëve dhe mjedisin. Vetëm duke punuar së bashku në të gjithë këta sektorë mund të sigurojmë një sistem ushqimor të qëndrueshëm dhe të sigurt për të ardhmen”, tha Mcmullan.

Lexo më shumë  FSK merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Mittelmark 2026” në Gjermani

Rruga Press

YouTube player