Korrupsioni strategjik i eksportit autoritar
Nga Blerim Reka
Pos bastionit rus të sigurisë, Beogradi, u bë edhe qendra ekonomike rajonale e Kinës. Sot, Serbia e Vuqiqit, e zëvendësoi “vëllazërinë kineze” dhe “miqësinë sovjetike” të Enver Hoxhës. “Globsec Policy Institute”, e nxjerr Serbinë- shtetin nën influencën më të madhe ruse dhe kineze. Ndërkaq qytetarët e saj, e shohin Rusinë (94%) dhe Kinën (91%), si aleat kryesor, e më së paku i besojnë BE-së (53%).
Diplomacia kreditore kineze, pas asaj të vakcinave, po shtrihet shpejtë në së paku tri nga gjashtë shtetet ballkanike. Me kreditë e shpejta miliardëshe infrasturkturore në Serbi, Bosne e Hercegovinë dhe Mal të Zi, këto tri shtete rrëshqitën drejt skllavërisë kreditore të Pekinit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e iniciativës kineze “16+1”, ndërkaq Kosova, fatëmirësisht është jashta ekspanzionit të tillë kreditor kinez.
Kreditë kineze “eksportuan” në rajon edhe modelin qeversisës autoritar. “Center for Study of Democracy”, konstaton se me kreditë kineze vjen edhe qeverisja pa llogaridhënje. Rrjedhimisht, kjo shpie në larje parash dhe kleptokraci institucionale, deri te ajo që ca studjues amerikan e quajnë korrupcion strategjik, si instrument i strategjive nacionale të Rusisë e të Kinës.
Paraja kineze, solli edhe autoritarizmin si model qeverisës; e gazi rus Putinizmin- si sundim të individit mbi ligjin. Eksporti i deficitit të tyre demokratik dhe të suficitit autokratik, ushqeu autoritarët lokal ballkanik, për të qeverisur me maksimën se: çdo gjë ndalohet derisa nuk lejohet nga autoritari; në vend se çdo gjë lejohet derisa nuk ndalohet me ligj.
Kosova, e vetmja në Ballkan mbeti imune nga eksporti i tillë autoritar lindor, si dhe shteti më përendimor në rajon, i pakushtëzueshëm as nga vakcinat ruso-kineze, as nga gazi rus e as nga kreditë kineze. Vazhdimi i kursit Euro- Atlantik, është interes shtetëror dhe çështje e sigurisë nacionale, përballë zbarkimit rajonal të autoritarizmit që vjen nga lindja.
Rruga Press