Bota

Korrupsioni në BE: Parlamenti Evropian pritet t’i ndalojë zyrtarët e Katarit nga hyrja në godinë

Parlamenti Evropian po shqyrton mundësinë që t’i ndalojë zyrtarët e Katarit nga mjediset e saj, si përgjigje ndaj skandalit të korrupsionit, më i madhi ndonjëherë në historinë e këtij institucioni.

Presidentja e Parlamentit, Roberta Metsolsa, ka thënë se liderët e lartë të Asamblesë do të diskutojnë një ndalesë të mundshme dhe se një paketë “reforme e gjerë” do të zbatohej në përgjigje të një hetimi të policisë belge, që ka çuar në ngritjen e akuzave ndaj katër zyrtarëve, për pastrim parash dhe korrupsion, përfshirë këtu një zëvendëskryetare greke të Parlamentit, raportoi The Guardian të enjten.

E pyetur nëse do t’i ndalonte përfaqësuesit e Katarit ose zyrtarët e tjerë qeveritarë të implikuar në skandal, Metsola ka thënë se kjo është një pyetje të cilën do ta bëjë menjëherë në konferencën e presidentëve, duke iu referuar organit të lartë drejtues të Parlamentit.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

Katari e ka mohuar çdo keqbërje në lidhje me hetimet, përmes të cilave policia belge ka sekuestruar afërsisht 1,5 milionë euro në formë kesh nga disa prona në Bruksel.

Eurodeputetët kanë folur se si atyre iu ofruan udhëtime falas dhe bileta të Kupës së Botës për të vizituar shtetin e Gjirit, i cili ka kërkuar të neutralizohen kritikat ndaj saj për trajtimin e punëtorëve migrantë.

Metsola ka thënë se edhe ajo ishte ftuar në Kupën e Botës, por ka refuzuar të shkojë, duke deklaruar se ka shqetësime lidhur me atë vend.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Ndalimi i zyrtarëve qeveritarë nga ambientet e Parlamentit Evropian është një hap i rrallë, megjithëse përfaqësuesit e kompanive ruse, shumë prej të cilëve të lidhur me Kremlinin, janë ndaluar nga ndërtesat e asamblesë në Bruksel dhe Strasburg që nga qershori për shkak të luftës në Ukrainë.

Metsola po fliste në një samit të BE-së në Bruksel, ku diskutoi skandalin me 27 liderët e bllokut.

“Nuk do të ketë imunitet, nuk do të fshihen gjërat nën qilim”, u tha ajo gazetarëve ndërsa mbërriti në samit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *