Korçë-Ersekë, firma e ish-deputetit Ndue Kola fiton edhe lotin e 4-t. ARRSH i ka dhënë mbi 60 mln euro
Katër tendera të ndryshëm, i njëjti fitues! Firma A.N.K e familjes së ish-deputetit Ndue Kola ka fituar një tjetër procedurë miliona euro për rrugën Korçë-Ersekë, duke e çuar shumën në mbi 60 milionë euro!
E trumbetuar si “arritje” nga mazhoranca, rruga që lidh dy qytetet në skajët juglindorë të Shqipërisë, po gllabëron miliona euro nga buxheti i shtetit, teksa i gjithë fondi ka shkuar vetëm në “xhepin” e ish-deputetit Kola. Madje, me të njëjta skema, ku Autoriteti Rrugor Shqiptar ka arritur që t’i kopsisë në mënyrë perfekte letrat, duke shpallur gjithmonë fitues këtë firmë.
Por, nëse e kishin ndarë mendjen që në fillim se paratë do t’i merrte Kola, përse harxhuan kohë, mund, bojë e letra për dokumente? Siç ka rezultuar edhe nga dokumentet, A.N.K ka marrë pothuajse të gjithë fondin e akorduar nga ARRSH. Shifra marramëndëse për një vepër që duhet të kishte përfunduar kohë më parë, ku ARRSH-ja dhe firma kanë ndryshuar disa herë projektin, vetëm e vetëm që të rrisnin koston.
Sipas dokumenteve që disponon Boldnews.al, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur një tjetër procedurë tenderuese për rrugën Korçë-Ersekë. Bëhet fjalë për kontratën “ndërtim rruga Korçë-Ersekë loti 2 (pjesa dytë)”, teksa fondi limit i këtij tenderi është plot 2.165.325.695 lekë pa TVSH, ose me TVSH shuma shkon në plot 20 milionë euro.
“Kohëzgjatja e kontratës kuadër ose afati për zbatimin e saj është 24 muaj” thuhet në dokumente, teksa në procedurë kanë marrë pjesë A.N.K me vlerë 2.164.693.349 lekë, 4 A-M me vlerë 2.164.747.769 lekë, firma Gener 2 me ofertë 2,164,357,623 lekë dhe “GJOKA KONSTRUKSION” me ofertë 2,165,159,976 lekë.
Siç duken edhe nga vlerat, firmat kanë ofruar pothuajse sa fondi limit, ose sa 98 apo 99 % e fondit të akorduar nga ARRSH. Por çfarë ka ndodhur më pas, apo s’i ka qenë vendimmarrja e ARRSH-së?! “Peshkaqenët” e fondeve publike, 4 A-M, Gjoka dhe Gener 2, ato të cilat kanë bërë namin këto vitet e fundit në procedura të ngjashme, janë s’kualifikuar me arsyetime nga më të ndryshmet. Berberi i ka “qethur” mirë letrat, duke ngritur dyshime të mëdha se gjithçka ka qenë e paracaktuar.
Boldnews.al shfletoi dokumentet shoqëruese të tenderit, ku rezultoi se shuma prej 20 milionë eurosh do të përdoret për të ndërtuar 12.8 km rrugë, kryesisht e sheshtë.
“Ky aks i ri rrugor do të ndërtohet si zgjatim i lotit 1 të rrugës Korçë- Ersekë për arsye se ky lot aktualisht shfrytëzohet me anë të rrugës provizore e cila lidh segmentin e vjetër me segmentin e ri. Lidhja e rrugës së re me aksin e vjetër rrugor është kryer në afërsi të majës së Qarrit” thuhet në dokumente. Sipas tyre, projekti është ndryshuar për arsye se në Kthesën e Vreshtit ka edhe prezencë të shkarjes së tokës. “Për arsyet e sipërshënuara u zgjodh një variant i ri dhe i përshtatshëm teknikisht që i jep zgjidhje përfundimtare problematikës në fjalë.
Kështu varianti i zgjedhur do të ketë pikë nisje fundin e aksit të ri të Lotit 1 të rrugës Korçë-Ersekë i ndërtuar vitet e fundit dhe do të përshkoje një gjurmë krejt të re deri në unazën e qytetit të Ersekës” thuhet në dokumente. Sipas tyre, loti 2 është i gjatë 17 kilometra, të cilat do t’u kushtojnë taksapaguesëve plot 40 milionë euro.
20 milionë po përdoren për 4.1 kilometra dhe 20 milionë të tjera është tenderi në fjalë (vazhdimi i lotit 2) qe sapo u tenderua. “Gjatësia e përgjithshme “Korçë – Ersekë Loti 2” (Vazhdimi) sipas projektit të ri është 12.85 km, ndërsa kurora e rrugës është 6.5 m” thuhet në këto dokumente.
Në dhjetor të vitit 2020, redaksia e Boldnews.al investigoi fondet për rrugën Korçë-Ersekë, e trumbetuar me të madhe nga Rilindja. Projekti nisi me bujë në vitin 2013, në atë kohë nga deputeti i zonës Niko Peleshi, i cili premtoi se rruga do të lidhte dy qytetet juglindore, Korçën me Ersekën.
Në atë kohë, “Boldnews” bëri një hulumtim të plotë të projekteve dhe vlerës që ka “ngrënë” kjo rrugë. Nga verfikimet rezultoi se, pavarësisht se kanë konkuruar shumë firma, vetëm njëra prej tyre është shpallur fituese. Ajo është “A.N.K”, e cila i kishte fituar të tria kontratat me ARRSH-në, pavarësisht se kanë ndryshuar drejtorët.
Por, pas kësaj firme, “ANK” është një ish-deputet, Ndue Kola. Ky i fundit e ka themeluar dhe më vonë ia ka kaluar “me letra” vëllait të tij Agim Kola. Loti i parë ka filluar në muajin qershor 2013 dhe fillonte te ura e Mborjes dhe përfundonte në kilometrin e 17, në Qafën e Qarrit. Firmës iu deshën plot 8 vite që të përfundonte 17.6 kilometrat. Kostoja për lotin e parë ka qenë 1 milionë euro për kilometër. Pra, ANK ka marrë rreth 17 milionë euro. Më pas, gjatë zbatimit të saj ka pasur disa përmirësime, kryesisht me masa inxhinierike në zonën e Qafës së Qarrit, të cilat u trajtuan nga kontrata shtesë punimesh.
Një tjetër lot ka qenë plotësimi i punimeve të mbetura dhe lidhja me rrugën ekzistuese të objektit sistemim asfaltim Rruga Korçë – Ersekë. Fitues sërish ANK me një vlerë mbi 4 milionë euro. Punimet kanë filluar në datën 12 tetor 2017 dhe kanë përfunduar një vit më pas. Pra, gabimet e projektimit të lotit 1 u ndreqën me këtë kontratë, që u kushtoi shqiptarëve rreth 4 milionë euro.
Dhe, pasi mori në dy lotet e parë 20-22 milionë euro, ku bëri rreth 20 kilometra rrugë, Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka shpallur sërish fituese “ANK”. “Qershia mbi tortë” ishte tenderi i 2020-ës, ku vetëm për 4 kilometra rrugë, taksapaguesit shqiptarë po i paguajnë firmës së familjes së ish-deputetit plot 20 milionë euro. Objekti i tenderit është “Ndërtim rruga Korçë – Ersekë” loti 2 me fond limit 2.399.999.882 pa TVSH-në. Në tender morën pjesë 5 firma, ku 3 u s’kualifikuan dhe fitues i shpall “A.N.K”. Marrë nga /bold/
Rruga Press