Lajme

Konkurrenca e ulët “ngrin” tregun e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve

TIRANË – Ndarja e tregut të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve është pothuajse e ngrirë edhe këtë vit. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se produkti më i rëndësishëm i tregut të sigurimeve pothuajse nuk ka asnjë lëvizje të rëndësishme në ndarjen e primeve të shkruara bruto mes kompanive të ndryshme. Për 10 muajt e parë të këtij viti, tregun e këtij produkti e kryesonte Sigal Uniqa Group Austria, me 21%, në të njëjtin nivel me 10-mujorin e vitit të kaluar. Vijon Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group (SIVIG), me 15.45%, nga 15.4% që mbante një vit më parë. E treta renditet Eurosig, me 14.8%, nga 14.7% një vit më parë dhe më pas Albsig me 12.15%, nga 11.8% një vit më parë. Me përjashtim të një rritje të lehtë të Albsig (pjesë tregu që është humbur nga kompania më e vogël në treg, Ansig) pozicionet e kompanive duken gati të pandryshuara.

Arsyeja kryesore pas lëvizjeve minimale në pjesët e tregut të kompanive duket të jetë konkurrenca e ulët. Që prej vitit 2013 deri në nëntor të këtij viti, policat e TPL shiteshin nëpërmjet një brokeri të vetëm dhe diferencat në primet e ofruara mes kompanive të ndryshme ishin minimale. Duke qenë se edhe komisionet e shitjes, sadoqë të larta, nuk ndryshonin shumë nga njëra kompani tek tjetra, as çmimi final që paguhej nga të siguruarit nuk lëvizte shumë. Për shkak të ndryshimeve të papërfillshme në çmim, struktura e tregut ka ngelur mjaft e ngurtë dhe pa ndryshime që të dëshmojnë ndonjë konkurrencë të rëndësishme mes kompanive.

Lexo më shumë  Konjufca për Kadaren: Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar

Kjo tablo e tregut përligj rezervat që ka shprehur disa herë Autoriteti i Konkurrencës për praktikën e shitjes së policave me një broker të vetëm, madje me kontrata të lëshuara në emër të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, ku në policë vetëm printohej emri i kompanisë në përgjegjësinë e të cilës lëshohej polica. Por, në nëntor të këtij viti, ky mirëkuptim mes kompanive duket se u prish dhe kompanitë iu kthyen praktikave të vjetra, duke konkurruar me çmime shumë të ulëta. Kjo bëhet kryesisht duke rritur komisionet e agjentëve, deri në nivelin e 45% të primit të shkruar bruto dhe u përkthye në ulje të çmimit final të paguar nga blerësi deri pranë nivelit të 30%. Rikthimi i konkurrencës së rrezikshme nëpërmjet uljes së çmimeve mund të bëjë që në dy muajt e fundit të vitit ndarja e tregut të TPL-ve më në fund të lëvizë. Megjithatë, kjo praktikë besohet se do të jetë e përkohshme. Duke filluar nga janari 2022, hyn në fuqi niveli tavan i komisionit të shitjes së policave TPL, prej 20%. Kjo do t’i kufizojë hapësirat e kompanive për të konkurruar me komisione dhe me ulje çmimesh.

Lexo më shumë  Osmani: Kosovës t’i jepet statusi i shtetit kandidat të BE-së dhe t’i largohen masat e vendosura

Sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta zë pjesën më të madhe të tregut shqiptar të sigurimeve, me rreth 56% të primeve të shkruara bruto. Këtë vit hyri në fuqi edhe ligji i ri që rregullon sigurimet e detyrueshme në sektorin e transportit, që, veç të tjerash, parashikon rritje të përshkallëzuar të limiteve të përgjegjësisë gjatë viteve në vijim. Logjikisht, kjo pritet të sjellë edhe rritjen graduale të primit të sigurimit për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve. (MONITOR.AL)

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *