Konjufca uron Metsolën: Ajo do të vazhdojë edhe më tej punën e mirë për një Bashkim Evropian gjithnjë e më solid ku Kosova është tej mase e angazhuar
Roberta Metsola, është rizgjedhur edhe për një mandat në krye të Parlamentit Evropian. Për Metsolën votuan pro 562 deputetë nga 720 sa i ka gjithsejt PE-ja.
Sot ajo urimet ka pranuar edhe nga krerët e shtetit të Kosovës.
Në urimin e tij, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se pret me padurim të thellohet bashkëpunimi i ndërsjelltë.
Postimi i plotë më poshtë:
Urimet më të përzemërta znj. Roberta Metsola për rizgjedhjen e saj si Kryetare e Parlamentit Evropian!
Pas një mandati të saj në krye të këtij institucioni të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, jam i bindur se ajo do të vazhdojë edhe më tej punën e mirë për një Bashkim Evropian gjithnjë e më solid, më të zgjeruar drejt vendeve që aspirojnë dhe angazhohen për integrimin, gjithnjë e më të palëkundur në vlerat evropiane dhe të pakompromis përballë atyre që kërcënojnë këto vlera të demokracisë.
Republika e Kosovës është jashtë mase e angazhuar për integrimin në Bashkimin Evropian dhe mezi presim që të vijojmë bashkëpunimin me znj. Metsola për të arritur sa më parë këtë aspiratë të popullit dhe shtetit tonë.
Në kohë si këto, me sfida të sigurisë që vijnë nga Rusia dhe shtetet që e mbështesin atë dhe me nevojën për një unitet sa më fuqishëm brenda BE-së dhe shteteve që vërtet ndajnë vlerat, interesat dhe synimet integruese, rizgjedhja e znj. Metsola është një garanci se puna e mirë dhe përpjekjet maksimale do të vazhdojnë pa dyshim.
Rruga Press