Konjufca takohet me Hækkerupin, kërkohet miratimi i dhënies së qelive për të burgosurit nga Danimarka
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, priti në takim ministrin e Drejtësisë, Nick Hækkerup, me të cilin u nënvizua nevoja e miratimit në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Danimarka, marrëveshje kjo e cilësuar si një gurthemel për bashkëpunimet e radhës.
Konjufca ishte i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci në këtë takim, ndërsa Hækkerup ishte së bashku me ambasadorin jorezident për Kosovë, René Rosager Dinesen
Në takim, përveç situatës së sigurisë në rajon pas agresionit rus në Ukrainë, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit në fusha me interes të përbashkët mes Kosovës dhe Danimarkë, sipas njoftimit nga Kuvendi.
“Konjufca, me këtë rast, shprehu mirënjohje për mbështetjen që Mbretëria e Danimarkës ka dhënë për çlirimin, zhvillimin, shtetndërtimin dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ai theksoi se Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira partneriteti dhe shprehu besimin se mbështetja e shtetit danez ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nga ana e tij, ministri Hækkerup konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahjen e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Nga marrëveshja për dhënien në shfrytëzim të qelive, Kosova do të përfitojë 20 milionë euro në 10 vjetët e ardhshme.
Rruga Press