Konjufca: Serbia duhet të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë
Kryeparlamenti i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhet në Kompleksin Memorial për viktimat e Masakrës së Mejës.
Në Masakrën e Mejës 23 vjet më parë u vranë 377 civilë shqiptarë, 18 prej të cilëve ishin nën moshën 18-vjeçare.
“Në Mejë mund ta gjeni gjithë popullin e Kosovës të masakruar. Por, fatkeqësia më e madhe është se kjo plagë vazhdon të jetë e hapur, për shkak se ende nuk kemi drejtësi”, ka thënë Konjufca, që ishte i shoqëruar nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe nga kryetari i Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Andin Hoti.
Konjufca ka thënë se institucionet do të vazhdojnë të bëjnë çdo gjë që është e mundur, që Serbia të japë përgjegjësi për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.
“Sot, në Ditën e të Zhdukurve me Dhunë nga lufta e fundit në Kosovë, ne nuk e dimë ku prehen trupat e tyre. Po një gjë dihet saktësisht, ata i mori shteti gjenocidal i Serbisë”, tha Konjufca. “Institucionet janë duke bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë çdo gjë që është e mundur që Serbia të japë përgjegjësi për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë”.
Rruga Press