Konjufca për Kadaren: Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar
Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllimet dhe respektin e tij per humbjen e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare.
Postimi i plotë më poshtë:
Me pikëllim të thellë mora lajmin se sot në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar.
Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe.
Si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit europian të shqiptarëve.
Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme.
Ngushëllimet më të sinqerta zonjës Helena Kadare dhe familjes Kadare!
Ngushëllime gjithë lexuesve dhe adhuruesve të librave të tij!
Ngushëllime mbarë kombit shqiptar!
Rruga Press