Konjufca: Nëse ndodh ndonjë draft për Asociacionin, ai do të propozohet nga Kosova
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nëse do të ketë draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai do të propozohet nga Kosova. Sipas tij, një draft i mundshëm nuk do të ishte rezultat i negociatave me Serbinë.
Këtë deklaratë ai e dha pak pasi Qeveria njoftoi se është dakorduar që “plani i ri” i propozuar nga pesë diplomatët perëndimorë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, krahas drafit për “zbatimin e nenit 7”, siç e quan Qeveria, e që BE-ja të martën e ka identifikuar si “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, të jetë bazë për diskutimet e ardhshme.
Sipas Konjufcës, ky plan është “në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk ka kurrfarë niveli të pushtetit”.
Megjithatë, ai ka shtuar se nëse ndodh ndonjë draft i asociacionit, ai do të propozohet nga Kosova.
“Por edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodhë ndonjë draft i asociacionit ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse ndodhë. Nëse jo nuk do të propozohet fare dhe nuk do të ishte rezultat i negociatave. Rezultat i negociatave është marrëveshja e Ohrit e cila është pranuar nga Republika e Kosovës por jo edhe nga Serbia”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka thënë se nuk e di pse janë ftuar kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të enjten në Bruksel.
“Nuk e di edhe pse është thirrur ky takim në Bruksel. Ne nuk kemi kohë t’i dëgjojmë premtimet e kota të Vuqiçit se është paqësor, ne jemi duke u përgatitur Si Republikë dhe si Polici e Kosovës, për sulme të ardhshme të mundshme. Siç tha edhe ministri i brendshëm që grupe po ushtrojnë në Serbi”, ka shtuar Konjufca.
Rruga Press