Konjufca: Me rrëmbimin e policëve, Serbia e ka hedhur poshtë marrëveshjen e Ohrit dhe Brukselit
Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, e ka dënuar aktin e rrëmbimit të policëve kufitarë të Kosovës, nga xhandarmëria e Serbisë.
Sipas tij, Ky veprim i Serbisë, e venon sovranitetin dhe sigurinë e shtetit të Kosovës, teksa është tregues se kush është duke nxitur tensione në mes dy vendeve.
Konjufca shtoi se “Serbia në menyrë të hapur dhe tepër të rrezikshme e ka hedhur poshtë marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve të pranuar në Ohër dhe Bruksel.
“Ky akt i cënimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve. Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cënimin e integritetit territorial të Kosovës”, ka thënë ai.
“Në kohën kur qeveria e Kosovës po del me propozime për t’i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”, ka vijuar Konjufca.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka arritur në pikën kufitare në Jarinjë. Ai u nis me urgjencë për atje, pas kidnapimit të tre policëve kufitar të Kosovës nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë.
Rruga Press