Konjufca: Deputetja e Vuçiqit nuk mund të shkruajë pjesë të rregullimit institucional të Republikës së Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk është në interesin e Kosovës një Ekip menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili nuk vepron bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Ai të premten në një deklarim për media, pasi një diskutimi të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se një institucion i cili e konsideron vetën të Kosovës, duhet të mbajë qëndrime që janë të Kosovës.
“Një institucion i cili e konsideron veten se është i Kosovës duhet të veprojë sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona dhe interesit tonë shtetëror, nëse një institucion nuk është i Kosovës, në kuptimin e sjelljes së tij mban qëndrime që nuk janë të Kosovës por të Serbisë, nuk mendoj se është interes i Kosovës të vazhdojë më ai institucion”, tha ai.
Sipas tij, Ekipi përveç që nuk po i përgjigjet institucioneve të Kosovës, gjithashtu udhëhiqet nga një deputete e Kuvendit të Serbisë.
“Unë nuk pres ndonjë gjë të mirë prej një kryesueseje të këtij Ekipi menaxhues e cila është deputete e Aleksandër Vuçiqit. Dhe, deputetja e Aleksandër Vuçiqit nuk mund të shkruaj pjesë të rregullimit institucional të Republikës së Kosovës. Kjo është A,B, C-ja e interesit tonë shtetëror”, ka theksuar Konjufca.
Ai ka pyetur se si mundet një deputete e Kuvendit të Serbisë ta prezantojë Kosovën.
“Një deputete e Kuvendit të Serbisë nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues. Qysh mundet një deputete e Kuvendit të Serbisë ta prezantojë Republikën e Kosovës, çfarëdo interesi publik? Ajo s’ka çka të prezantojë hiq, faktikisht”, është shprehur Konjufca.
Sipas tij edhe nëse drafti i statutit të Asociacionit shkruhet mirë, ai nuk duhet të pranohet.
“Unë mendoj që edhe nëse e shkruan mirë draftin e Asociacionit nuk bën t’ia pranojmë, sepse nuk është çështja se çka ajo po shkruan por që ajo nuk e ka të drejtën fare që të shkruaj, sepse është përfaqësuese në Serbi, e presidentit të Serbisë, e partisë së presidentit të Serbisë në parlamentin e Serbisë”, ka theksuar Konjufca.
Rruga Press