Lajme

Konjufca: BE-ja nuk ka kompetencë t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se nuk është kompetencë e Bashkimit Evropian që t’i propozojë Kosovës draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Kosova nuk duhet të qëndrojë “gatitu” që vetëm ta presë të gatshëm draftin për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese.

Konjufca ka theksuar se Qeveria e Kosovës është më shumë e rezervuar, prandaj pret nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë – rrjedhimisht sigurinë se Serbia do t’i respektojë të gjitha pikat e marrëveshjes. Ai ka thënë se kur Serbia pretendon se mund të zbatojë “vetëm atë që i konvenon asaj nga Marrëveshja e Ohrit”, edhe Kosova ka të drejtë të zbatojë atë që i konvenon.

Sipas Konjufcës, dilema e madhe e Qeverisë së Kosovës është nëse Serbia do t’i zbatojë të gjitha pikat. E, nëse Serbia merr nga tavolina vetëm atë që i pëlqen, Konjufca ka deklaruar se “edhe ne do të marrim nga ajo vetëm çka na pëlqen. Asociacioni nëse nuk na pëlqen, nuk do ta marrim”.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

“BE-ja nuk e ka kompetencë t’i propozojë asociacion Kosovës. Është gabim të mendohet se është kompetencë e BE-së neve veç me na caktu, e kompetencë e jona veç me dërgu në Kushtetuese. Ndoshta Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova ta propozojë një draft… Unë nuk mendoj që është kompetencë e BE-së me i propozu draft Kosovës. Nuk mendoj që Kosova duhet të qëndrojë gatitu dhe veç me çu draftin që BE-ja e propozon. Nuk pajtohem me këtë procedurë, nuk shkruan askund, nuk është obligative për Kosovën. Obligative është vetëm marrëveshja e vitit 2013. Jemi në fazë krejt të re. Ne po presim që të nënshkruhet marrëveshja e Ohrit. E marrëveshja është pika e 7 edhe pse nuk përmendët por mund të kuptohet që ka lidhje me Asociacionin”, ka thënë Konjufca duke përfunduar se nëse marrëveshja është obligative 100% “nuk do të ketë qare pa e zbatu secili”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Të enjten në një takim me gazetarë, Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që të kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese për një draft-statut të hartuar prej Perëndimit për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Diplomatët perëndimorë në tetor i patën paraqitur Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për formimin e Asociacionit – në parim të dyja palët e patën pranuar.

Rruga Press

YouTube player