Konjufca: Adem Demaçi ishte frymëzues brezash në luftën për liri
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në gjashtëvjetorin e vdekjes së simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë varrit të tij në Prishtinë.
Duke kujtuar me pietet figurën poliedrike të Adem Demaçit, i pari i Kuvendit ka thënë se veprimtaria politike dhe intelektuale e tij është e shtrirë në më shumë se gjashtë dekada, prej viteve të 50-ta, dhe përgjatë gjysmës së saj ai ishte në burg, njofton Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Tutje Konjufca ka thënë se Adem Demaçi në burg ishte i pathyeshëm, duke bërë qëndresë të madhe dhe duke frymëzuar breza të tërë që të vazhdohet lufta për liri, për të qenë të fortë dhe për të mos u thyer para pushtuesit serb.
“Jo vetëm që ka dhënë shembullin e guximit me veprimtarinë e vet të drejtpërdrejtë, por ka dhënë një orientim shumë të rëndësishëm për popullin tonë. Në të njëjtën kohë ka shkruar edhe shumë libra, duke qenë një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Pra, veprimtaria e tij politike na frymëzon edhe neve që jemi përgjegjës të institucioneve publike, por gjithashtu edhe vepra e tij si shkrimtar duhet të studiohet më shumë”, theksoi kryetari i Kuvendit.
Konjufca ka shtuar se Demaçi edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte konsistent dhe i pandalshëm.
“Sidomos gjenerata e re e politikanëve, të cilës i përkas edhe unë, ka qenë shumë e frymëzuar nga baca Adem dhe veprimtaria e tij. Për këtë arsye ne do ta nderojmë dhe do ta kujtojmë gjithmonë dhe vepra e tij do të jetojë gjatë”, ka thënë kryetari Glauk Konjufca.
Rruga Press