Koncensioni i Butrintit, Zhupa: Po fshehin raportin e UNESCO-s, po fabrikojnë prova që ky raport nuk ekziston
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa në një deklaratë për mediat ka sjellë edhe një herë në vëmendje çështjen për koncensionin e Butrintit. Gjatë fjalës së saj Zhupa u shpreh se raporti i UNESCO-s po mbahet i fshehtë dhe se po i kërkohet UNESCO-s të mos e raportojë.
Deputetja e PD-së më tej shtoi se përfaqësuesi i qeverisë në gjykatë ka dhënë dëshmi të rreme dhe se ka fabrikuar prova sikur ky raport nuk ekziston. Zhupa shtoi se Instituti që fsheh raportin është në varësi të ministrit Gonxhe dhe ish-ministres Margariti e cila është edhe kryetare bordi e koncesionarit.
Deklarata e plotë:
Prej një viti jemi në Gjykatën Kushtetuese për koncesionin e Butrintit. Gjatë këtij procesi kemi kërkuar që të merret edhe qëndrimi i UNESCO, duke qenë se Butrinti është pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO, dhe ky lloj koncesioni është i padëgjuar në botë, por edhe i palejuar nga Konventa e Parisit. Në datë 22 Dhjetor kemi marr përgjigjen zyrtare me email nga Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Pasurive Botërore të UNESCO-s, z.Lazare Eloundou Assomo, që konfirmon që raporti i misionit të tetorit 2022 i është dërguar qeverisë shqiptare, konkretisht Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Raporti mbahet i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese dhe i kërkohet UNESCO që mos ta publikojë këtë raport. Përfaqësuesi i qeverisë në gjykatë ka dhënë dëshmi të rreme dhe ka fabrikuar prova sikur ky raport nuk ekzistonte. Po ju citojmë e-mailin: “Lidhur me kërkesën tuaj për statusin e raportit të misionit të përbashkë të Qendrës të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe Misionit Këshillimor ICOMOS, që u zhvillua nga data 26 deri më 28 tetor 2022, Ju lutemi të jeni të informuar se ky Raport është finalizuar dhe transmetuar tek autoritetet kompetente në Shqipëri, përkatësisht Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore si organizata qeveritare e caktuar si përgjegjëse kryesore për zbatimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore në Shqipëri. Shteti Palë i Shqipërisë nuk ka autorizuar publikimin e raportit në faqen e Trashëgimisë Botërore”.
Sigurisht që situata tregon qartësisht që kemi të bëjmë me një raport që nuk i shkon për shtat qeverisë dhe koncesionarit AADF. Ndryshe nuk do e fshinin nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk do i kërkonin UNESCO mospublikimin e këtij raporti. Nga ana tjetër situata vazhdon me serinë e shkeljeve penale dhe ligjore dhe dyshime të arsyeshme mbi konflikt interesi dhe forma të korrupsionit. Instituti që fsheh raportin është në varësi tashmë të ministrit Gonxhe, dhe ish ministres Margariti, që është dhe kryetare bordi e koncesionarit. Së fundmi koncensionari FMB ka ndryshuar një prej anëtarëve të bordit -noteren – dhe ka vendosur në vend të saj drejtoreshën e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore znj. Rudina Zoto (Kule), pikërisht personin që ka raportin nga UNESCO dhe që e fsheh. Znj. Rudina Zoto tashmë është kolege me ish shefen e saj Margariti së cilës, për t’i gjetur një punë kur ta hiqnin nga posti e imuniteti e kanë caktuar në Bordin e Butrintit.
A ishte pikërisht fshehja e raportit arsyeja pse u shpërblye me vendin si anëtare e bordit Rudina Zoto?! Drejtësia do thotë fjalën e saj edhe për këtë. Elva Margariti, Rudina Zoto dhe përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave në gjykatë janë duke shkelur ligjin dhe do përballen me pasojat ligjore personalisht dhe s’do mund të fshihen as pas posteve që i japin vetes. Elva u përdor dhe u flakë pa asnjë shpjegim, ndërsa Rudina duhet të shikojë fatin e shefes së saj, për t’ju kthyer ligjshmërisë dhe të bëjë publik raportin. Ne jemi në pritje të hapave dhe vendimeve që do të ndërmarrë Gjykata Kushtetuese, duke shpresuar që do t’i përgjigjet kushtetutshmërisë, drejtësisë dhe interesit kombëtar. Gjykata duhet ta marrë raportin dhe ne palët në proces të njihemi dhe të shprehemi për të. Butrinti është pasuri UNESCO dhe pasuri e Shqipërisë dhe e tillë duhet dhe do të mbetet me çdo kusht.
Rruga Press