Komuna e Preshevës ka hedhur hapin e parë drejt realizimit të një projekti të rëndësishëm për energjinë e gjelbër
Kryetarja Ardita Sinani ka bërë të ditur se sot është zhvilluar një takim i frytshëm me përfaqësues të Open Society Foundations, zonjën Aleksandra Sanjeviq, Program Menaxhere, dhe zotin Miodrag Milloslavleviq, për të diskutuar detajet e grantit që do të mundësojë pajisjen e Shkollës Fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” me një Elektranë Fotovoltaike (panele solare).
Në takim ka qenë i pranishëm edhe drejtori i shkollës, i cili ka kontribuar me perspektivën institucionale për nevojat dhe rëndësinë e këtij investimi. Projekti parashikohet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për shkollën, duke reduktuar ndjeshëm kostot e konsumit të energjisë elektrike dhe duke promovuar përdorimin e burimeve të qëndrueshme.
Kryetarja Sinani e ka cilësuar këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të energjisë së gjelbër dhe modernizimit të infrastrukturës arsimore në Preshevë. Ajo theksoi se investime të tilla janë thelbësore për të ndërtuar një të ardhme më të pastër, më efikase dhe më të përgjegjshme ndaj mjedisit.
Nisma, e cila vjen në kuadër të orientimit strategjik të komunës për të përqafuar energjinë e ripërtëritshme, shihet si një model që mund të shtrihet edhe në institucione të tjera publike në të ardhmen.
“Në fokus – investime të mençura për një të ardhme më të pastër dhe më efikase për Preshevën”, ka përfunduar Sinani, duke nënvizuar angazhimin e komunës për zhvillim të qëndrueshëm dhe inovativ.
Rruga Press

