Komuna e Gjilanit vazhdon mbështetjen për fermerët – nis aplikimi për farë misri dhe pleh artificial
Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se po vazhdon mbështetjen për fermerët me farë misri dhe pleh artificial.
Drejtori për Bujqësi, Bajram Isufi, tha se duke u bazuar në planin e punës për këtë vit, kanë shpallur thirrje për aplikim për farë misri dhe pleh artificial. Aplikimi ka nisur nga 21 marsi dhe mbyllet më 9 prill.
Ai tregoi se të drejtë aplikimi kanë të gjithë fermerët e komunës, të cilët janë kultivues të misrit. Derisa përparësi kanë ata që jetojnë në fshatra, ndërsa sipërfaqja e planifikuar duhet të jetë nga 0.20 hektarë deri në 0.98 hektarë.

“Prioritet ndër prioritete e kemi prodhimin foragjer, me theks të veçantë prodhimin dhe kultivimin e misrit, si njëra prej kulturave jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë e vendit”, tha Isufi.
Ai shtoi se janë njëra ndër komunat e vetme që e subvencionojnë farën e misrit në nivel të republikës.
Ndryshe, sipas tij në vitin paraprak (2024), kanë përfituar 638 fermerë 1000 thasë farë misri dhe 2000 thasë pleh artificial.
Rruga Press