Komplementariteti i Batonit dhe radojçiqëve nën parullat “kur ushtria të kthehet në Kosovë” dhe “kur Perëndimi të largohet nga Kosova”
Nga Erald Korra
Me zgjedhjet që po afrohen në Kosovë, ekraneve shqiptare nuk u mjafton më keqinformimi publik i zakonshëm. Pas sondazheve të para që rikonfirmojnë Qeverinë Kurti, në mainstreamin mediatik i kryesuar nga Baton Haxhiu, mashtrimeve piroteknike u janë shtuar armët masive të frikësimit. Sloganet “Kosova do të vendosë pro o kundër Perëndimit” ose “Albini dhe fiton, por Kosova e sigurtë që do të humbasë”, janë deviza e “terrorizimit” mbi publikun nga ana e Batoni & co. Që ofensiva e tyre mediatike të ketë sukses, ajo ka nevojë për një casus belli ekzaltant, aq sa edhe rëndësia e këtyre zgjedhjeve.
Batoni & co ka nevojë për një “Banjskë” mediatike për me arritë efektet e pritshëm. Aktualisht po përdor çështjen e ditës, atë të hapjes së Urës mbi Ibër. Batoni e ka të qartë se nuk ka asgjë më me efekt për dëgjuesit shqiptar se transmetim live i zhgënjimit të rradhës së ambasadorit amerikan prej Qeverisë. Terrori do ishte i garantuar! Rrjedhimisht, ashtu si çetnikët nga veriu para Banjskës paralajmëroheshin me parullën: “kur ushtria të kthehet në Kosovë…”, nga jugu, nga treva Londineze, Batoni po kërcënon Kosovën me parullën: “kur Perëndimi të largohet nga Kosova…”.
Por a tremb më Batoni Kosovën? Ai e njeh mirë Kosovën, ashtu si Kosova e njeh mirë Batonin. Ndaj dhe Batoni gjendet në Tiranë.
Ai e di shumë mirë, ne e dimë shumë mirë, se kur Kosova shkatërron ofensivën e Radojçiçit, ajo nuk ka asnjë problem të mbrohet edhe nga kërcënimet e Batonit. E di, që mbas 2 shekujsh durimi e dy dekadash çlirimi, 4 vitet e fundit të lirisë nga stabilokracitë e sundimitarëve vendas, ështët bërë e vështirë ta nëpërkëmbësh popullin e Kosovës. Tek e fundit kush ka provuar frymën e lirisë, vështirë se asfiksohet nga ajo. Do ishte një paradoks ekzistencial, Kosova dhe kosovarët do të përgënjeshtronin veten, do të ishin qenie anti-historike përveç se antikombëtare.
E pamundur!
Atëhere kë po mbron Batoni duke kërcënuar Kosovën?
Sigurisht që nuk është opozita në Kosovë, sepse opozitën reale po e ushtron “Quinti”. Ky është mjaftueshëm i qartë për t’u mbështetur edhe nga Batoni. Opozitën formale jo e jo! Sepse Lumiri si plagjiator serial, përveç meritave për punët e qeverisë, kopjon dhe deklaratat e Quintit. Sa për Memliun… nuk e dimë se ku është, por Batoni e sigurt e di. Më mirë se Ramushi megjithatë, që për me ekzistu, ofendon veten sa herë shprehet padinjitetshëm.
Ndaj seriozisht, i kthehemi pyetjes: kë kërkon të frikësojë Baton Haxhiu?
Duhet ta pranojmë se Batoni është metodologjik në misionin e tij. Nuk ka mbrojtur e as ka bërë ndonjëherë opozitë, sepse e dimë që Batoni mbron vetëm dhe vetëm Pozitë. Prandaj ai po shpenzohet me gjithë forcat për të vetmen Pozitë të trevave tona që i ka ngelur:
Shqipërinë Grenelliane.
Me këtë lloj mbështetjeje ai iu prezantohet PUSHTetarëve.
Realisht Batoni kërcënon vetëm shqiptarin e pashpresë të Shqipërisë që ka frikë nga çdo gjë. Shqiptarin e Shqipërisë londineze të përhumbur në labirintin e hisorisë. Ky mund të frigohet lehtësisht, sepse e mban shpresën tek rastësia. Aq i dëshpëruar është sa mendon që emërtimi rrugës është e vetmja shpresë për rrugëdalje nga Naçertania. Batoni ka për referencë të njëjtin publik skllav që mendon me shqisa, dhe tret çdo gjë që të tjerët kanë defekuar. Publikun e frikës Batoni e gjen në Tiranë, ku dhe i janë “grata” përjetësisht madje. I njëjti që në rastin më të mirë ushqen me lëndën e parë kanceroze trupin dhe virtytin, në më të keqin, bart edhe barkodin 860 që i çertifikon turpin e origjinës. Ndaj dhe bari i Ambasadoreshave i duket Bio. Këtij populli të mjerë që i jep dhe i merr çdo gjë, mjaft t’ia servirësh nga lart. Dhe kur mendon se uria mbase do t’ia kthjellojë disi ndjenjën e dinjitetit, populli i Batonit ka për borxh ta derdhë në rrugë atë që prodhon me djersë, ta kalbi nëpër ara vetëm që të ketë përsëri uri. Uri po, “non grata” kurrë! Batoni i flet këtij soji shqiptari, atij që ka njohur vetëm të keqen. Popullit që nuk bëri kurrë protestë kundër Ballkanit të Hapur (lexo: Evropës së mbyllur).
Cilitdo që ndihet kaq i poshtëruar, i poshtri i duket lart. Imagjino sa lart mund t’i duken ambasadorët Batoneskë…
Kjo është andralla me emrin Baton, ky është limiti filozofik i të poshtëruarit. I gjori frikaman, popull grenellian, nuk ka asnjë aftësi me përfytyruar të mirën. Peng i të shkuarës, e ardhëmja për të është lodhje e tepërt.
Por nuk është sosur gjithë shpresa. Kohët e fundit historia po kalëron me ritme të shpejta. E ardhmja është e tashmja që ngeci në qoshet periferike të Atdheut. Mundësia që e mira të imponohet rastësisht nga trevat e tjera, është shumë e afërt.
Realizimi i subjektivitetit mund të ndodhë edhe pa shtysën e përfytyrimit, mjaft të referohemi te shembulli i keqbërësit. Dhe kush më mirë se Baton Haxhiu mund t’i i përshtatet këtij roli? Batoni është anti-heroi kombëtar. Sepse Batoni e gjen burimin e guximit të vet në këtë popull londinez. Populli i Kosovës nuk vlen më, ngase ai e njeh tradhëtarin dhe të keqen. Edhe kur i vjen nga lart, edhe më lart se ç’mund të mendojë Batoni bashkë me Quintin.
Guxoi ta bëjë arbitrarisht në Preshevë, me shpresën se do legjitimonte akoma Pozitën-Pushtet-Pusht, por edhe atje shqiptarët ngaqë kanë uri për liri, e njohnin mirë. Pa dashur Batoni ndihmoi në delegjitimimin e Shqiprim Arifit. Presheva kuptoi falë atij që ishte koha që Serbim Arifi të kthehej nga kishte zanafillën.
Gjithashtu, nuk mjaftuan as haxhinjtë e tjerë si Buzhala, Buzhalët dhe Fevzinjtë që të manipulonin shqiptarët e Maqedonisë me përmbysjen e realitetit në Maqedoni, sepse shqiptarët përmbysën Ali Ahmetin, u treguan faktor në një vend multietnik ku ruajtën me stabilitetin edhe dinjitetin.
E gjithë merita e Batonit. U bë ajo që koalicione dështuan radhazi për dy dekada. “Bac u kry”!
Batoni është aq i papërtueshëm dhe i zellshëm të shuajë vatrat e mos-nënshtrimit ndaj sundimtarve Çubrilloviqas, që të huajt quajnë stabilitet, sa që nuk po e kupton që shkakton efektin e kundërt, falë zotit. Shkon si pompier kthehet si zjarrëvënës. Qorton si Perëndimor ja mbath si Radojçiç. Vjen për të frikësuar, të ndërgjegjson akoma më shumë. Flet si atdhetar, por deklarohet si Borrel. Teorizon Open Sociaety si Popper, por konkluzionet i nxjerr si Aleksandër Dugin ose më keq, Lajçaku. Angazhohet si Cerçiz, dështon si Grenell. Batoni ia ka qarë aq shumë hallin, dhe aq shumë i koordinuar ka qënë me ndërkombëtarët sa po mos ta njihnim mbase nuk do dyshonim tek ata. Por ja që gjithë shqiptarët e trevave, përveç trevës mëmë, e njohin mirë kush është. Qunti nuk e njeh, falë zotit, kurse gjaku gjakun e njeh që çke me të, o gjak prishur. Batoni është dekodifikatori ynë, ose më mirë ç-amplificatori i burokratëve Made in Bota. Quinti nuk e ka kuptuar ende sa punë po i prish, por edhe Batoni nuk paska kuptu. Quinti flet duke menduar se qortimet ngelin keq në Kosovë, ose matanë Ibrit, ndërsa Batoni jehonën na e përcjell në Shqipëri. Kështu kur ambasadori amerikan deklarohet i zhgënjyer, ne mendojmë që kosovarët barin e kanë për lopët. Kur ai gjerman kërcënon me humbjen e statusit për kandidat në BE, ne e pyesim: A e mbani mend herën e fundit kur jeni shprehur për diçka parimore ndaj Kosovës? Sepse ne e mbajmë mend mirë kur shkëmbyet parimet dhe të pasmen me gazin rus dhe lithiumin serb.
Me një fjalë, u nis për Banjskën, padashje Batoni u bë Ibër. E vetmja urë koherente me Shqipërinë njerkë e së mirës në emër të së keqes. Sepse Batoni nuk është e keqja e domosdoshme, por e vetmja e keqe që mund ta ndërgjgësojë publikun shqiptar, sa të bashkuar qenkemi ndaj triadhës tradhëtisë-hasëm-teknokrate. Në të keq, por s’ka gjë, gjithmonë për bashkim kombëtar e kemi fjalën. Ky popull pjellë e së keqes që t’i flasi vetes i nevojitet një anti-hero që të pasqyrohet. Në të kundërt nuk do njihte vehten, nuk do t’i thërras kurrë mendjes dhe ndërgjegjes. Pa Batonin do ishte akoma një zero me bisht. Duhet të shumëzoj gjithë energjinë negative kundër gjithë ligësisë batoniane që aritmetikisht të rilindë në shenjën e pozitivit dhe nën aureolën e lirisë. Faleminderit Baton. Ti je e vërteta jonë dhe rrena e aleatëve tanë, njëherë dhe miq. Vezullo shqiptarëve dhe ndërkombëtarve refleksin e shëmtisë së antivlerave ku janë katandisur, vetëm kështu mbase do pasqyrohen. Vertikalizo frustracionin e një vendi që dëgjon si individ, por paralajmërohet si Komb, përveç egos individuale të krenohet edhe me egon Kombëtare. Vazhdo Anti-Heroi ynë Kombëtar! Me koordinim ose pa koordinim, vetëm vazhdo! Lartëso këtë Komb ndër Kombet e tjera, që më në fund edhe ne të jemi për Ndërkombëtarët Komb, dhe jo më një përmbledhje gjysëm Republikash, Repubikash banane, Statutesh Speciale, Autonomish dhe Asociacionesh. Mos dysho Baton tek ajo që të themi, besoje! Po të këshillojmë nga Shqipëria, ata pak që kurrë nuk janë pasqyruar tek ty. Dhe kur ti, shpura jote, teknokratët, ndërkombëtarët pazarxhinj, lobistët, laviret, maskarenjtë, të poshtrit, lëpirashët dhe Grenellit, ju vjen oreksi të cënoni përsëri dinjitetin e Kosovës, nga Shqipëria mëmë, aq pak JETIM sa jemi, (mbase edhe më pak se sa ju shpresoni), do t’ju përgjigjemi, do t’ju friksojmë me të vërtetën, do paralajmërojmë zemërimin tonë me parrullën “JU EDHE E BENI POR…”.
Dhe po vazhduat akoma ta vrisni Kosovën edhe si (gjysëm) Republikë, ta dini se një KOMB NË PRITJE në ndjenjën e unitetit më në fund do RILINDI.
Sepse të paçmuar Aleatë, aleatë të Batonit, etj, e vërtetë që ne jemi pak këtu në Tiranë, Kukës, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, etj, por jemi gjithmonë e në rritje, e të ndërgjegjshëm… sepse me aq pak sa përjetuam Qeverinë e parë Kurti, herën e parë që SI SHQIPËTARË JU ZHGËNJYEM SIÇ DUHET, kuptuam “që sikur edhe një ditë Albin Kurti të kishte qenë në Qeveri, asgjë nuk do ishte si më parë për Kombin Shqiptar”.
NJË DITË JO JETIM. VETËM NJË DITË ALEATË TË VETVETES.
Dhe po nuk kuptove Baton edhe kësaj rradhe, ti dhe ata të tjerët që shiten si aleatë, ndërsa na shesin për mall, dije se do na lindë e drejta me parrullën premtuese t’ju zhgënjejmë, t’ju “terrorizojmë”: “KUR LËVIZJA TË KTHEHET NË TIRANË…”
Rruga Press