Kompania që furnizon Boeing-un dhe Airbus-in: Mund të ndalojmë furnizimet për shkak të tarifave
Howmet Aerospace, kompania që furnizon me pjesë të aeroplanit Airbus dhe Boeing, mund të ndalojë disa nga dërgesat për shkak të tarifave doganore të vendosura disa ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump, thuhet në një letër që Reuters ka pasur mundësi ta shohë.
Kompania me seli në Pittsburgh ka njoftuar klientët se ka shpallur një “forcë madhore”. Kjo është një praktikë juridike që i lejon palët kontraktuese të shmangin përmbushjen e detyrimeve nëse ndodhen përballë rrethanave të jashtme të pashmangshme dhe të paparashikueshme.
“Howmet do të përjashtohet nga dërgesat e çdo produkti ose shërbimi që ndikohet nga një gjendje emergjente kombëtare dhe/ose nga një urdhër ekzekutiv për tarifat doganore”, thuhet në letër. Kompania ka refuzuar të japë ndonjë koment zyrtar, ndërsa pa koment kanë qenë edhe Boeing dhe Airbus.
Howmet është furnizues i komponentëve të rëndësishëm metalikë që përdoren në një industri me vlerë 150 miliardë dollarë.
“Ky është veprimi i parë i tillë nga një kompani e madhe e aviacionit që nga njoftimi për tarifat, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se furnizimi do të ndërpritet automatikisht,” ka thënë një burim, pasi në letër është lënë e hapur mundësia për negociata mbi ndarjen e kostove të tarifave.
Për shkak të tarifave doganore amerikane për importin e aluminit dhe çelikut, si dhe tarifave të reja për importe nga vende të tjera, kompanitë po përballen me kosto më të larta, gjë që po ndikon rëndë në zinxhirin e furnizimit në industrinë e aeroplanit.
Donald Trump, të mërkurën, shpalli tarifa për mallrat nga vende të huaja që ndryshojnë nga 10 deri në 50 për qind, çka ka bërë që shumë kompani dhe investitorë të kenë frikë nga një recesion i mundshëm.
Rruga Press