Komisioni i Prokurimit Publik miraton ankandin për privatizimin e Vllaznisë
Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar pretendimet e biznesmenit Almiro Gurakuqi dhe ka cilësuar të drejtë ankandin e Bashkisë së Shkodrës, i cili bën biznesmenin Alban Xhaferi pronar të klubit të futbollit Vllaznia.
Dy muaj pas njoftimit të rezultateve të ankandit për pronësinë e klubit të futbollit Vllaznia, Komisioni i Prokurimit Publik- KPP, i ka cilësuar të drejta procedurat e privatizimit të ndjekura prej Bashkisë së Shkodrës, duke lënë në fuqi vendimin e saj mbi të ardhmen KF Vllaznia sh.a.
“Tashmë, pas vendimit të KPP, ankandi i KF Vllaznia sh.a. po shkon drejt përmbylljes, duke shënuar privatizimin e parë në Shqipëri për një klub futbolli”, thotë në deklaratën e saj Bashkia Shkodër duke nënvizuar se procesi i ndjekur prej saj ishte “ligjor, transparent dhe në komunikim me publikun”.
“Janë respektuar me rigorozitet ligjet dhe aktet e tjera ligjore që rregullojnë procedurat e ankandit në Shqipëri”, thuhet në njoftimn e bashkisë.
Në KPP ishte ankuar biznesmeni Almiro Gurakuqi, i cili u skualifikua nga gara për pasaktësi në dokumentacion dhe ofertë më të ulët se limiti i vendosur prej bashkisë.
Me vendimin e fundit të KPP në fazën finale të ankandit është vetëm Alban Xhaferi aktualisht sponsor i Vllaznisë dhe me gjasë edhe pronar i kompanisë që zotëron klubin.
Gurakuqi që kontestoi vendimin e bashkisë i tha BIRN se do të vijonte betejën, por pa shtuar detaje. “Nuk janë përfunduar të gjitha hapat ligjor”, tha ai.
Privatizimi i Vllaznisë është i pari i kësaj natyre në vend edhe pse një ligj për sportet detyron që të gjitha klubet të privatizohen apo nxjerrin në shitje aksionet që zotërohen nga bashkitë. Ankandi megjithatë kaloi përmes një sërë peripecish, ndërsa një prej ofertave erdhi prej një kompanie pa asnjë aktivitet në fushën e sportit, përfaqësues të së cilës thanë se ishin tallur kur e kishin bërë./reporter/