Bota

Komisioni Evropian rrit fondet për të financuar mbështetjen për palestinezët e prekur nga lufta, premton miliona euro për Gazën

Bashkimi Evropian tha se do të japë edhe 68 milionë euro për ndihmën e nevojshme humanitare për palestinezët në Gazë.

Ky territor është shkatërruar nga lufta që ka nisur mbi gjashtë muaj më parë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, teksa Izraeli po sulmon territorin nga toka dhe ajri në kundërpërgjigje të sulmit vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Si pasojë e luftës, popullsia civile prej mbi 2 milionë banorësh e Gazës ka nevojë për ndihmë humanitare.

“Në dritë të përkeqësimit të vazhdueshëm të krizës së rëndë humanitare në Gazë dhe rritjes së kërkesave në terren për ndihmë, Komisioni Evropian po rrit fondet për të financuar mbështetjen për palestinezët e prekur nga lufta që po vazhdon”, u tha në deklaratën e BE-së.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

“Kjo mbështetje bën që totali i ndihmës humanitare që BE-ja ka ofruar për palestinezët brenda Gazës dhe në mbarë rajonin më 2024 të arrijë në 193 milionë euro”.

BE-ja tha se ndihma e re do të përqendrohet në dërgesat ushqimore, ujë të pastër, strehim dhe do të dërgohet në terren përmes partnerëve lokalë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se operacioni i Izraelit e ka shndërruar Gazën në një “ferr humanitar”, teksa është rritur frika për përhapjen e urisë.

Lexo më shumë  Rubla ruse arrin nivelin më të ulët në 32 muaj kundrejt dollarit

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Izraelit që të lejojnë hyrjen e më shumë ndihmave në Gazë.

Ushtria amerikane tha të enjten se do të nisë ndërtimin e një port, në mënyrë që të rriten dërgesat me ndihmë humanitare në Gazë.

Lufta në Gazë nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, teksa ofensiva e tij hakmarrëse deri më tani ka vrarë mbi 34.000 persona në Gazë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi.

Rruga Press

YouTube player