Komisioneri i BE-së Varhelyie sheh shpëtimin e Bosnjës te zbutja e ligjit për gjenocidin
Zyrtarë të Bashkimit Evropian janë duke punuar prapa skenës për të “përmirësuar” ligjin që kriminalizon mohimin e masakrës së 8000 myslimanëve në Srebrenicë të Bosnjës, pasi privatisht kanë dalë me konkludimin se ligji po kërcënon me luftë të re.
Milorad Dodik, anëtari serb i Presidencës treanëtarëshe e Bosnje e Hercegovinës, është akuzuar muajve të fundit se po synon ta ndajë pjesën serbe nga institucionet shtetërore.
Ai ka thënë se në BeH s’ka ekuilibër të pushtetit dhe se kur Valentin Inzko, kreu në largim i zyrës së përfaqësuesit të lartë në Bosnje, e shpalli të paligjshëm mohimin e gjenocidit këtë verë, e quajti antidemokratik.
Lëvizjet e Dodikut për të marrë pushtetin janë dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, që e akuzon se po e çon rajonin drejt luftës, por siç raporton prestigjiozja “The Guardian”, komisioneri evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi, ka konstatuar se ligji i Inzkos është përgjegjës për krizën aktuale.
Gjatë një takimi me delegacionin e BE-së në Bosnje, Varhelyi – që është përgjegjës për forcimin e raporteve të bllokut evropian me BeH-në – dha “vlerësimin e tij të sinqertë” se Inzko “është fajtor për krizën aktuale politike”.
“Edhe pse amendamentet e Inzkos nuk mund të kundërshtohen nga ana ligjore, fakti që u vendosën në ditën e fundit të mandatit të tij ka qenë problemi”, dëgjohet të ketë thënë Varhelyi në një takim të 25 nëntorit. “Sidomos sepse ishte vendim i rëndësishëm, është dashur të dilte nga një debat gjithëpërfshirës ku do të dëgjoheshin të gjithë. Çështja tani është si ta rregullojmë këtë”.
Varhelyi, një hungarez i afërt me kryeministrin e krahut të djathtë në Hungari, Viktor Orban, u ka thënë zyrtarëve të BE-së se lidershipi mysliman në Bosnje është i gatshëm të zgjidhë këtë çështje përmes një ligji të ri që do të krijonte unitet në BeH.
Marrëveshja e Daytonit e paqes në vitin 1994 i dha fund luftës që mori jetën e të paktën 100 mijë njerëzve në Jugosllavi, duke përfshirë më shumë se 8000 burra e djem myslimanë të Bosnjës të vrarë në Srebrenicë. Nga marrëveshja Bosnja e Hercegovina doli si shtet që përmban Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës – të përbërë kryesisht nga myslimanët e Bosnjës dhe kroatët – dhe Republikën Srpska. Presidenca treanëtarëshe udhëhiqet nga përfaqësues të të tria grupeve.
Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar ka kompetenca të konsiderueshme ligjbërëse në BeH. Ai ka autoritetin të marrë vendime e të shkarkojë zyrtarë që minojnë ekuilibrin etnik. Inzko, diplomat austriak, e bëri të dënueshëm mohimin e gjenocidit. Dënimi ishte deri në pesë vjet burgim. Ai kishte cituar një refuzim të Asamblesë së Republikës Srpska për të tërhequr nderimet ndaj tre kriminelëve të luftës si arsyetim.
Varhelyi raportohet se ka shprehur besimin se ka një rrugëdalje nga kriza aktuale dhe se sipas tij, rezoluta e përkrahur nga Republika Srpska për marrje të pushtetit mund të shtyhet për gjashtë muaj për të lënë kohë për negociata.
Sipas Varhelyit, arritja e një marrëveshjeje për ligjin për gjenocid do të ishte vitale që Dodiku ta njohë pasrendësin e Inzkos, Christian Schmidtin, që ka thënë se rajoni po përballet me krizën më të madhe në këtë çerekshekull.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian s’ka komentuar raportimet.
Rruga Press