Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari pjesëmarrës në Ndërrimin e Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, realizoi një vizitë zyrtare në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF) në Wiesbaden, Gjermani, me ftesë të Komandantit të Forcave Amerikane për Evropë (EUCOM), Gjeneral Christopher G. Cavoli.
Gjatë vizitës, Jashari mori pjesë në ceremoninë e pranim/dorëzimit të detyrës së Komandantit të USAREUR-AF, ku Gjeneral Darryl A. Williams ia dorëzoi detyrën Gjeneralit Christopher T. Donahue.
Me këtë rast, Gjenerallejtënant Jashari falënderoi Gjeneralin Williams për mbështetjen e dhënë ndaj FSK-së dhe për zhvillimin e saj. Të dy palët theksuan se “marrëdhëniet bilaterale ushtarake mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë çdoherë e më të forta”.
Po ashtu, Jashari zhvilloi një takim njoftues me Gjeneralin Donahue, të cilin e uroi për marrjen e detyrës si Komandant i USAREUR-AF, duke shprehur angazhimin për thellimin e bashkëpunimit mes dy forcave.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjeneralët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin përmes stërvitjeve, trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta bilaterale.
“Bashkëpunimi ushtarak dhe rritja e ndërveprueshmërisë mes FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane për Evropë mbetet prioritet i komandantit të FSK-së, në linjë me zhvillimin dhe modernizimin e Forcës,” thuhet në komunikatën e FSK-së.
Rruga Press