Komandant Jashari qëndroi për vizitë zyrtare në SHBA, takoi drejtuesit më të lartë të Ushtrisë Amerikane
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me ftesë të Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve qëndroi për vizitë zyrtare në Uashington DC në SHBA.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë vizitës gjeneral Jashari i shoqëruar edhe nga Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës (GKA), Stephen Osborn, patën mundësinë të takojnë drejtuesit më të lartë të Ushtrisë Amerikane dhe të Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se Jashari u takua me shefin e Shtabit të Ushtrisë, Gjeneral Randy George, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme për FSK-në dhe diskutuan prioritetet e përbashkëta për të ardhmen.
“Në vijim të vizitës Gjeneral Jashari mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së Shefit të Byrosë së Gardës Kombëtare të SHBA-ve. Kjo ceremoni u udhëhoq nga Kryesuesi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA-ve, Gjeneral Charles Q. Broën Jr, ku me këtë rast u largua nga detyra Gjenerali Daniel Hokanson. KOMFSK e falënderoi Gjeneralin Hokanson për lidershipin e tij në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror në mes të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim, Jashari mori pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të pozitës së Drejtorit të Ushtrisë së Byrosë së Gardës Kombëtare, ku nga kjo pozitë u pensionua Gjeneral Lejtënant Jon Jensen dhe detyrën e mori Gjeneral Jonathan M. Stubbs.
“Gjatë takimit njoftues me Gjeneralin Stubbs të dy u pajtuan që bashkëpunimi të vazhdojë tutje në stërvitje, trajnime dhe aktivitete tjera të përbashkëta”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Rruga Press