Opinion/Aktualitet

Koha për Presidentin Biden të thotë: MJAFT !

Shkruan AGIM ALIÇKAJ, përkthyer për Rruga Press nga Hana Mitrovica

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, liberalizimi i vizave dhe njohja e plotë e BE -së është zgjidhja e vetme

“Shqiptarët vuajnë nga kujtesa e shkurtër, aq e shkurtër saqë pas një kohe i quajnë miq  edhe kasapët e tyre.” LEO FREUNDLICH

         Zgjodha këtë citat të publicistit, politikanit dhe autorit austriak të dokumentit mbi krimet serbe “Golgota shqiptare”, jo si dëshmi e “marrëzisë kombëtare” shqiptare, por, për t’i zbuluar botës demokratike vlerat njerëzore të kombit shqiptar, vlerat që mungojnë në shoqërinë serbe. Etja e tyre për hegjemoni, shovinizëm, çnjerëzim dhe armiqësi agresive ka qenë e hapur dhe e dokumentuar mirë. Planet e hollësishme për të shfarosur popullsinë shqiptare dhe për të aneksuar tokat shqiptare janë botuar nga përfaqësuesit serbë, duke filluar nga Načertanije (1884) e Ilija Garašanin deri te memorandumi famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” (1937) nga Vasa Cubriloviq. Fakte të tmerrshme tregojnë zbatimin e këtyre ideve të sëmura, me vrasje sistematike të popullsisë civile dhe dëbimin me forcë të qindra mijëra shqiptarëve në Turqi dhe vende të tjera të botës. Kjo përpjekje afatgjatë ka arritur kulmin me gjenocidin serb kundër shqiptarëve në vitin 1999.

        Pas gjithë këtyre mjerimeve, lind pyetja: si mund të flitet në mënyrë të barabartë me një armik kaq të papenduar, të turpshëm dhe të rrezikshëm?

Një shtet fajtor për mizoritë, i udhëhequr nga politikanë, pikëpamjet e të cilëve nuk mund të dallohen nga ato të kriminelit të luftës Millosheviq, dhe të cilët nuk tregojnë asnjë pendesë. Nëse ka ndonjë gjë, ata po tregojnë zhgënjim se qëllimi i tyre për të hequr qafe të gjithë shqiptarët nuk u përmbush. Një qeveri shoviniste që deklaron hapur se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës – deklarata e tyre e vetme e sinqertë. Pjesa tjetër e deklaratave të tyre të “bashkëpunimit” janë thjesht gënjeshtra dhe propagandë me qëllim për të manipuluar bashkësinë ndërkombëtare.

Logjikisht, pala që sillet si armike duhet të trajtohet si e tillë. Nuk duhet të ketë bisedime me Serbinë derisa ajo të njohë krimet e kryera, të kërkojë falje për gjenocidin, të dorëzojë kriminelët e saj të luftës, të kthejë trupat e civilëve të masakruar dhe të paguajë dëmshpërblimet e luftës. Nga ana tjetër, bota demokratike pret një dialog të pakushtëzuar të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mund ta injorojë. Në këto rrethana, dialogu duhet të vazhdojë, por duhet të jetë real dhe i bazuar në fakte dhe barazi.

Serbia mund dhe duhet të mposhtet me fuqinë e argumenteve, të ‘armatosur’ me drejtësi dhe të vërtetat,  me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Bota demokratike, e cila po e kënaqë Serbinë, duhet të ballafaqohet me parimet dhe vlerat të cilat ajo i ka kultivuar dhe promovuar vazhdimisht dhe të cilat ata nuk mund t’i injorojnë, mohojnë ose shkelin haptazi.

        Ndërtimi dhe forcimi i shtetit të Kosovës duhet të jetë prioritet, me mundësinë reale që dialogu me Serbinë të vazhdojë edhe shumë. Nevoja për të luftuar korrupsionin është urgjente dhe duhet bërë pa kompromis. Ekspertë të talentuar, të arsimuar dhe profesionistë duhet të  punësohen bazuar në aftësitë dhe performancat e tyre. Të gjitha institucionet shtetërore duhet të përmirësohen, duke vendosur themele të forta për shërbime efektive shëndetësore dhe sociale. Zhvillimi ekonomik duhet të shikojë drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera mike, si dhe atyre që nuk shprehin armiqësi të hapur kundër Kosovës. Ligji dhe rendi duhet të forcohen. Kuadri ligjor që rregullon investimet e huaja duhet të thjeshtohet duke ofruar konkurrencë dhe cilësi. Të gjithë këta elementë do ta bëjnë pozitën e Kosovës më të fortë në dialog dhe gjithçka tjetër.

        Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga kryeministri Kurti me mençuri dhe kompetencë ka filluar dialogun e vështirë me shtetin armiqësor dhe jonormal serb. Kërkimi i përgjegjësisë për të kaluarën dhe propozimet paqësore konstruktive për të ardhmen janë strategjia e duhur dhe formula e vetme për fitore.

Rëndësia e përfshirjes amerikane në dialog

        Dialogu mund të udhëhiqet nga Evropa, por kurrë nuk mund të përfundohet me sukses pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Populli shqiptar e do dhe i beson Amerikës dhe e shikon atë si një simbol të demokracisë, forcës, drejtësisë dhe të së drejtës. Pa Amerikën nuk do të ketë drejtësi të vërtetë për Kosovën dhe asnjë garanci për zbatimin e ndonjë marrëveshjeje. Interesat strategjikë të kombit amerikan, shumicës së  kombeve evropiane dhe kombit shqiptar janë shumë të harmonizuar. Amerika është i vetmi vend që mund të ballafaqohet me mbështetjen ruse për dominimin serb në Ballkan.

       Ndërmjetësuesit në dialog duhet të jenë të paanshëm. Ky është minimumi që përfaqësuesi evropian z. Miroslav Lajçak nuk e plotëson. Me kërkesën e tij për ndryshimin e kushtetutës së Republikës së Kosovës me qëllim zbatimin e marrëveshjes antikushtetuese për shoqatat e homogjenizuara serbe, ai ka dalë kundër Kosovës dhe vlerave shumetnike evropiane dhe amerikane të cilat qëndrojnë në themelin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ai duket më shumë si një zëdhënës serb sesa një ndërmjetës në konflikt.

        Ne presim që Presidenti Biden të emërojë urgjentisht një përfaqësues amerikan i cili duhet të përfshihet menjëherë në bisedimet në vazhdim të Brukselit. Sigurisht që nuk duhet të jetë dikush si z. Palmer. Ai është politikan i suksesshëm i punëve të jashtme, por me lidhje familjare me Serbinë. Kjo e diskualifikon atë që të jetë ndërmjetës i paanshëm. Në mungesë të ish-ambasadorit pro-serb Grenell, tregoi qëndrimin e tij të vërtetë duke bërë presion mbi Kosovën për të zbatuar marrëveshjen e dështuar të Uashingtonit, ndërkaq, nuk bëri asnjë presion ndaj Serbisë, e cila tashmë e ka shkelur atë pa hezitim dhe konsideratë për Amerikën.

E ashtuquajtura marrëveshje e z.Grenell për “normalizimin e marrëdhënieve ekonomike” mes Kosovës dhe Serbisë, është një nga marrëveshjet më të çuditshme të “negociuara” ndonjëherë. Iluzore, për më tepër, të pretendosh se marrëdhëniet ekonomike midis një agresori dhe viktimës mund të normalizohen, ndërsa agresori nuk e njeh dhe përpiqet haptas ta shkatërrojë viktimën. Grenell e orkestroi këtë lojë për të ndihmuar Serbinë dhe për të marrë votën serbo-amerikane për Presidentin Trump, por megjithatë, dështoi. Republikën e Kosovës këtë herë e shpëtoi populli amerikan.

Lobimi në Amerikë

       Ekziston vetëm një mënyrë për të kërkuar llogari nga politikanët jodiplomatikë, të njëanshëm, si z.Grenell. Lobimi në Uashington përmes Kongresit Amerikan. Politikanët dhe diplomatët pro-serbë si Grenell, mund të thirren në seancat e Kongresit për të shpjeguar pikëpamjet dhe marrëdhëniet e tyre me vendet anti-amerikane, pro-ruse si Serbia. Dhe, për shqiptarët ka vetëm një që mund ta bëjë atë siç duhet : Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga dy personalitete mbresëlënëse, aktivistë dhe ekspertë të të drejtave kombëtare shqiptare, ish-kongresmeni Joe DioGuardi dhe Shirley CloyesDioGuardi. Mes shumë arritjeve, Lidhja është përballur me sukses me Sekretarin e Shtetit Lawrence Eagleburger i cili kishte simpati dhe lidhje me Serbinë, kështu DioGuardi ndaloi Ambasadorin Robert Gelbard të shpallte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një ‘organizatë jolegjitime’.

        Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane është e vetmja organizatë lobuese shqiptaro-amerikane e regjistruar pa kompromis në Uashington. Puna e Lidhjes në Uashington për pavarësinë e Kosovës dhe në emër të të drejtave njerëzore dhe politike të të gjithë popullit shqiptar ka qenë legjendare. Të dhënat janë të arkivuara në faqen e saj të internetit aacl.com. Pothuajse çdo senator dhe kongresmen amerikan si : Biden, Dole, McCain, Lantos, Gilman, Hyde, Ros-Lehtinen dhe të tjerë, u informuan nga Lidhja dhe mbështetën përpjekjet shqiptare për liri dhe demokraci.

       Kjo punë historike e Lidhjes duhet të vlerësohet dhe njihet siç e do rendi, veçanërisht nga Republika e Kosovës. Pritja është që Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti të bëjnë atë që paraardhësit e tyre të korruptuar nuk arritën ta bëjnë – të konsiderojnë vendosjen e një statuje dhe emërtimin e një sheshi ose rruge të rëndësishme në Prishtinë kushtuar Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi. Pa këta dy, historia e pavarësisë së Kosovës nuk do të ishte e plotë.

        Çdo shqiptaro-amerikan mban të drejtën dhe ka për detyrë të ndihmojë dy republikat shqiptare. Sidoqoftë, është shumë e rëndësishme të mos ngatërrohet lobimi me diplomacinë. Përfaqësuesit  janë për të kryer diplomacinë. Për të marrë mbështetjen e nevojshme për çështje të rëndësishme nga zyrtarët amerikanë, ata mund të paraqesin fakte dhe argumente në takime të mbyllura pa asnjë konfrontim të panevojshëm.

        Lobistët nuk janë atje për të qenë diplomatikë. Ata janë taksapagues amerikanë që kanë të drejtë të promovojnë politika ose të sfidojnë politikat e mundshme të gabuara të një administrate të caktuar përmes Kongresit Amerikan. Me të vërtetë nuk ka kuptim të mbështesim dhe lavdërojmë zyrtarë si Ambasadori Grenell për “punën e madhe”, ndërsa ai, në koordinim me politikanët e shitur të Kosovës, po shkatërronte demokracinë në Kosovë dhe po përpiqej t’i jepte Serbisë qasjen në atë që nuk i takon. Ky nuk është lobim në emër të një kombi. Duket se është veprimtari e kundërt. Më shumë përfitim i trajtimeve të favorshëm për interesa personalë.

Kosovës nuk mund t’i imponohet nga askush një zgjidhje e padrejtë 

        Nuk ka fuqi në botë që mund të imponojë një zgjidhje të padrejtë në raport me Serbinë e kundër vullnetit të popullit të Kosovës. Një nga gabimet më të rënda në një përballje të gjatë me Serbinë ishte se populli shqiptar ka qenë gjithmonë i pozicionuar në defanzivë, pa asnjë plan apo strategji, duke iu përgjigjur në anën tjetër nga po kanosej terrorizmi i organizuar shtetëror serb. Me qeverinë e re Kurti, gjithçka po ndryshon. Amerika dhe Evropa tani kanë një partner të fortë për bashkëpunim. Një strategji e përgatitur mirë në trajtimin e Serbisë duhet të bazohet në sa vijon:

– Integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk negociohet nga askush dhe me askënd. Populli ka paguar me gjak dhe sakrificë. PERIOD! PIKË! TačKA! (që të gjitha palët ta kuptojnë)

– Kërkesat serbe për hegjemoni etnike brenda shtetit të Kosovës janë të pabaza dhe të panevojshme. Ato janë në kundërshtim të mprehtë me vlerat multi-etnike të qytetërimit perëndimor, për më tepër në kundërshti me Kushtetutën. Kjo do të sillte përsëri ngatërresa me okupatorin e vjetër shtetëror kriminal serb. Kosova do të bëhej një vend jofunksional i varur nga Serbia përgjithmonë. As që duhen diskutuar këto.

-Republika e Kosovës nuk ka asnjë obligim të zbatojë marrëveshjen e Brukselit për hegjemonitë etnike serbe në territorin e saj dhe as marrëveshjen e Uashingtonit për stabilizimin ekonomik. Dihet se të gjitha vendet shkelin marrëveshjet e dëmshme gjatë gjithë kohës. Serbia tashmë ka thyer marrëveshjen e Uashingtonit dhe shumicën e marrëveshjeve. Madje që në start.

– Serbia duhet të trajtohet si një agresor që ka humbur luftën. Ajo duhet t’i nënshtrohet një procesi pacifikimi dhe denazifikimi. Të shërohet nga sëmundja e urrejtjes për kombet tjerë joserbë dhe nga iluzionet për rrëmbimin e tokës ose dominimin në Evropën Juglindore.

– Serbia duhet të udhëzohet e po qe nevoja edhe t’i nënshtrohet presionit për të pranuar krimet e bëra gjatë luftës dhe të kërkojë falje për gjenocidin kundër popullatës civile shqiptare. Kosova ka të drejtë ta padisë Serbinë për gjenocid dhe të kërkojë hetimin e Presidentit Vuciq dhe politikanëve të tjerë serbë që ishin pjesë e regjimit të Millosheviqit. Deklarata e tij se të gjitha palët janë fajtore është qesharake dhe e papranueshme. Dhe përbën delinkuencë në vete

– Ka ardhur koha që Evropa të kuptojë se politika e tyre për ta kënaqur Serbinë në mënyrë që ta largojë nga ndikimi rus, ka dështuar. Një presion i fortë ekonomik, politik dhe diplomatik do të jetë shumë më i suksesshëm dhe efektiv.

– Asnjë negociatë me Serbinë nuk duhet të ketë për temë punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Temat duhet të jenë vetëm për çështje dhe marrëdhënie midis të dy shteteve fqinj.

– Të drejtat e pakicës serbe në Kosovë duhet të adresohen siç duhet, rregullisht dhe drejtpërdrejt me përfaqësuesit e tyre në prani të ndërmjetësve ndërkombëtarë ( me përjashtim të Rusisë). Parimi i reciprocitetit dhe barazisë duhet të zbatohet për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në tokën e tyre autoktone – Luginën e Bashkuar.

-Kërkesa ekstra-territoriale për vendet e kultit orthodhoks fetar dhe monumentet e kulturës është e pabazë. Ato janë pjesë e thesarit kombëtar dhe kulturor të Kosovës. Janë mbrojtur dhe ruajtur nga populli shqiptar përgjatë gjithë historisë. Duhet të krijohet një komision i përbashkët i historianëve dhe studiuesve ndërkombëtarë për të hulumtuar dhe studiuar fakte historike, për të vënë përfundimisht në qetësi mitin nacionalist mesjetar serb që pretendon Kosovën si “djepin e qytetërimit serb”. Ky pretendim i rremë është keqpërdorur për një kohë të gjatë nga Serbia për të justifikuar politikat shoviniste dhe dhunën e sponsoruar nga shteti.

        Në realitet, është fare e lehtë të vërtetohet e pamohueshmja, ajo që thotë patrioti Bardhyl Mahmuti, se : “Kosova është djepi i barbarisë dhe gjenocidit serb kundër popullit shqiptar”, ose si e thekson kryeministri Kurti : “Serbia hyri në Kosovë me gjenocid dhe u largua me gjenocid” dhe të gjithë besojmë se ‘Kosova është varri i nacionalizmit serb, shovinizmit, barbarisë, hegjemonizmit, ekspansionizmit dhe sjelljeve të joqytetëruese’.

Dhe kush mërzitet nëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës

Qytetarët votuan masivisht për Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, për dy arsye veçanërisht të rëndësishme: luftimin e korrupsionit dhe qëndrimin përballë armikut serb. Votuesit presin që ata të dalin fitimtarë nga dialogu me Serbinë, si dhe të ndërtojnë dhe forcojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës. Dështimi në këtë drejtim do ta luhaste besimin. Çdo kritikë konstruktive nga opozita dhe kundërshtarët politikë duhet të merret parasysh, të vlerësohet dhe të merr përgjegjjen e duhur, me adresim. Çdo fyerje dhe kritikë joparimore duhet të injorohet plotësisht.

         Kërcënimet e fundit të një lufte tjetër nga shovinistët serbë janë bosh. Me krijimin e forcave të NATO -s në Evropën Juglindore, koha e luftërave ka kaluar. Ajo që ka më shumë gjasa të ndodhë është aktiviteti i zgjeruar armiqësor nga Serbia në mënyra të ndryshme dhe duke përdorur metoda tjera, si shqetësimet fetare të pakicës serbe, infiltrimin e mundshëm në rajone të caktuara të Kosovës me huliganët dhe banditët serbë për të nxitur trazira, etj. E zakonta tipike serbe. Rëndësi ka kombi shqiptar që duhet të jetë gati të mbrojë veten me të gjitha mjetet e nevojshme dhe t’i kundërvihet çdo sulmi serb.

        Realiteti është se nëse njerëzit e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare janë të organizuar dhe veprojnë si një komb, ata janë shumë më të fortë se Serbia. Ata kanë mbështetjen e pakushtëzuar të diasporës atdhetare dhe të fuqishme. Kujt i intereson nëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës ?! Vetëm brenda jetës së brezit tonë e që nga viti 1981, Kosova duroi dhe i rezistoi terrorizmit shtetëror serb për dy dekada të gjata. Nga viti 1999, e dy dekada pas  çlirimit, Kosova vazhdoi jetën pa njohje nga Serbia.

Kosova eci relativisht mirë përkundër katandisë nga qeveritë paraprake që nga vdekja e Presidentit Ibrahim Rugova. Me qeverinë e re, të pakorruptuar, të aftë, të Kryeministrit Albin Kurti dhe me kryesimin e Presidentes Vjosa Osmani, Kosova mund të vazhdojë të ndërtojë rrugën e saj të lavdishme për një të ardhme më të mirë edhe pa njohjen e Serbisë, për aq kohë sa të ketë jetë në Tokë.

        Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar ishte dhe mbetet dëshira dhe ideali i patriotëve më të mëdhenj të kombit tonë. Pra, si një nevojë legjitime dhe e drejtë e kombit shqiptar – të ndarë padrejtësisht nga Fuqitë Botërore të drejtuara nga Rusia, komb që sot jetojn i shpërndarë në gjashtë vende të ndryshme. Kjo është diçka që Evropa dhe Amerika e dinë dhe e kuptojnë shumë mirë. Nuk ka të bëjë aspak me ndryshimin e kufijve me forcë kundër normave të botës demokratike. Mund dhe duhet të arrihet gradualisht, në mënyrë paqësore, me një lëvizje të lirë dhe bashkëpunim në të gjitha fushat dhe të gjitha nivelet, me qëllimin përfundimtar fisnik për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

        Kjo është kuptimisht dhe me të drejtën e plotë, në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me cilindo projekt të errët të planifikuar të “Serbisë së Madhe”, e cila politikë pandalur u ndoq nga Serbia duke vrarë dhe masakruar qindra mijëra njerëz, përmes spastrimit etnik, me synim  aneksimin e dhunshëm territorial.

NË PËRFUNDIM

         Ndërsa dialogu vazhdon, mundësia që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës përmes bisedimeve është ende joreale. Për të mbrojtur interesat strategjikë amerikanë dhe për të sjellë investimet e saj në Kosovë në një përfundim të suksesshëm, është koha që Presidenti Biden të thotë : “MJAFT !”  Ashtu siç bëri Presidenti Bush në qershor të vitit 2007. Askush nuk e di situatën në Ballkan dhe konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë më mirë se Presidenti Biden. Jepni vendit më pro-amerikan në botë anëtarësimin në NATO, bindni 5 vendet e mbetura të BE-së që të njohin pavarësinë e Kosovës, të miratojnë liberalizimin e vizave dhe të fillojnë procesin e gjatë të integrimit dhe të hyrjes së Kosovës në Bashkimin Evropian.

        Serbia dhe Rusia nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndaluar këtë. Nga ana tjetër, kjo mund  ta ndihmojë Serbinë të pajtohet me realitetin, të fillojë me ndryshimet e nevojshme për t’u bashkuar me botën e civilizuar demokratike, duke pranuar faktin se pavarësia e Republikës së Kosovës është e përhershme.

Tani udhëheqësia amerikane bashkë me atë të Bashkësisë Evropiane, duhet të ndalojnë sundimtarët e korruptuar dhe autokratë, ndoshta kriminelë të Serbisë të udhëhequr nga Vuciq dhe bashkëpunëtorët e tij shkatërrues, fatkeqësisht me në krah kryeministrin Rama të Shqipërisë në një anë, e në tjetrën me kryeministrin Zaev të Maqedonisë së Veriut si dhe Dodikun e të ashtuquajturës ‘republikë serbe’ në Bosnje. Ballafaqimi me këta duhet bërë kundër promovimit të hegjemonizmit serbo-rus me interesat e tyre në Ballkan dhe me synim destabilizimin e të gjithë Evropës. Axhenda e tyre e ashtuquajtur “Ballkan i hapur” është kryekëput kundër interesave evropianë dhe amerikanë.

  Pa e zgjatur më tej, ju kujtojmë se Kombi Shqiptar është paqedashës, liridashës, qëndrestar, i pathyeshëm dhe i pamposhtur bashkë me të gjitha traditat dhe vlerat njerëzore e tij.

Si një nga kombet më të vjetër të qytetëruar në Evropën Juglindore, populli shqiptar i ka dhënë botës shumë personalitete të mëdha si Skënderbeu i cili, për 25 vjet radhazi, mbrojti Evropën nga pushtimi i Perandorisë Osmane dhe Shën Nënë Tereza, simboli i njerëzimit dhe kujdesit për njerëzit në nevojë në mbarë botën.

Agim Aliçkaj është Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Lidhjes Qytetare Shqiptaro -Amerikane dhe Këshillit të Vatrës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *