Kinezët dhe rusët provokojnë amerikanët
Ushtria ruse ka testuar këtë javë raketën e saj hipersonike Tsirkon.
Lëshimi i saj u bë nga një anije luftarake në Arktik, njoftoi ushtria të enjten. Fregata Admiral Gorshkov ka disa prova vitet e fundit, dhe kjo e së enjtes ishte e suksesshme, njoftuan mediet ruse.
Ka qenë vetë presidenti Vladimir Putin që i ka cilësuar “të pathyeshme” këtë gjeneratë të re armësh hipersonike. Moska shpreson të fitojë avantazh në garën e armatimeve me Shtetet e Bashkuara, ndërsa ka një tension në rritje mes dy superfuqive.
Më herët kanë qenë kinezët që kanë testuar një armë të atillë, njoftojnë mediet amerikane.
Testimi i kinezëve për këtë gjeneratë të re raketash, tërhoqi edhe vëmendjen e ushtrisë amerikane, teksa gjeneralë dhe zyrtarë të lartë amerikanë janë shprehur të shqetësuar.
Kinezët testuan një raketë që udhëtoi me shpejtësi 5 herë më të lartë se ajo e zërit në mbarë globin, dhe goditi afër objektivit të caktuar nga ushtria.
Armët hipersonike janë shumë më të vështira për t’u gjurmuar nga radarët, sepse ato mund të udhëtojnë me shpejtësi tejet të lartë dhe mund të manovrojnë në mes të fluturimit.
Edhe Pentagoni amerikan ka alokuar një fond të madh, rreth një miliard dollarë në vit, për kërkime mbi armët hipersonike. Konkurrenca nga programet ambicioze të Kinës dhe Rusisë janë një ndër motivuesit kryesor.
Rruga Press

