Këshilltari i Zelenskyt kërkon shkatërrimin e armëve iraniane
Mykhailo Podolyak, këshilltar i lartë i presidentit ukrainas ka bërë thirrje për shkatërrimin e fabrikave iraniane që prodhojnë dronë dhe raketa. Ai po ashtu ka kërkuar edhe arrestimin e furnizuesve të tyre.
Podolyak tha më 24 dhjetor se Irani po “poshtëron hapur institucionin e sanksioneve ndërkombëtare”.
Kievi e ka akuzuar Teheranin se ka furnizuar Moskën me 1.700 dronë kamikazë Shahed-136, të cilat sipas tyre janë përdorur për të goditur objektivat në Ukrainë.
Irani ka pranuar se i ka dërguar dronë Rusisë, por ka thënë se dërgesat janë bërë para se Moska të pushtonte Ukrainën në shkurt. Moska ka mohuar se përdor dronë iranianë në luftën kundër Ukrainës.
Më 19 dhjetor, Rusia sulmoi Ukrainën me dhjetëra dronë kamikazë, duke goditur infrastrukturën kritike në dhe përreth Kievit. Ky ishte sulmi i tretë ajror që Moska ka kryer ndaj kryeqytetit ukrainas në më pak se një javë.
Dronët kamikazë janë të lirë për t’u prodhuar dhe fluturojnë drejt objektivit duke shpërthyer eksplozivët gjatë kontaktit me shënjestrën.
Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar individë të ushtrisë iraniane dhe kompani të mbrojtjes, për përfshirjen e tyre në furnizimin e Rusisë me dronë iranianë.
Rruga Press