Lajme

Këshilltari i Kurtit: Asgjë nuk u arrit me vendosjen e barrikadave

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se ekzistonte realisht mundësia e eskalimit të situatës në veri pas vendosjes së barrikadave.

Barrikadat në veri u vendosen në mbi 10 lokacione të ndryshime nga 9 dhjetori, si shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulmin ndaj komisioneve komunale zgjedhore. Të mërkurën, Pantiqi u lirua në arrest shtëpiak, ndërsa një ditë më pas, të enjten, barrikadat u hoqën. Por Zulfaj ka thënë se autoritetet e Kosovës ishin të gatshme të ndërhynin për t’i larguar ato në momentin e duhur.

“Ekzistonte realisht mundësia e eskalimit të situatës. Por institucionet tona ishin të gatshme të intervenonin në momentin e duhur. Kishte grupe ruse të infiltruara që donin eskalim të situatës. Prandaj ne kishim përkushtim që ato të hiqeshin në mënyrë paqësore”, ka thënë Zulfaj në “Interaktiv” të KTV-së të premten.

Lexo më shumë  Murati publikon grafikun për kontratat 'njëburimore' ndër vite: Numri i kontratave njëburimore në mandatin tonë është përgjysmuar

Këshilltari i kryeministrit Kurti ka thënë se me barrikada, serbët nuk arritën asgjë. Ka përsëritur se heqja e tyre ishte çështje ditësh, nëse barrikadat nuk do të hiqeshin nga serbët.

Për lirimin e Pantiqit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ashtu si Kurti që deklaroi të mërkurën, edhe Zulfaj ka theksuar se ka mbetur i habitur.

“Ky nuk ishte vendim i Qeverisë, por i gjyqësorit. Gjyqësori është i pavarur. E kemi shprehur habinë tonë me këtë rast. Gjyqësori është i pavarur, por duhet me dhënë drejtësi. U vërtetua që politika nuk ka ndikim në gjyqësor”, ka deklaruar Zulfaj, duke shtuar se Pantiqi mori trajtimin e duhur nga autoritetet e Kosovës gjatë kohës sa ishte i ndaluar.

Lexo më shumë  SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Arrestohen Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

Zulfaj ka këmbëngulur se konkursi për të plotësuar vendet vakante të mbetura pas dorëheqjes së policëve serbë, është një proces ligjor që do të vazhdojë përpara.

“Ajo çka ne bisedojmë në dialog e kemi bërë të qartë. Politika nuk mund të jetë mbi Kushtetutën dhe ligjin. Aty ka një proces ligjor siç mbushen proceset vakante. Nuk është ideja që ato vende të zëvendësohen me shqiptarë. Por serbët që nuk kanë mundur më herët të jenë pjesë e Policisë, tani e kanë shansin. Largimi i serbëve nga Policia ka shkaktuar vakum në prezencën e komunitetit serb në këtë institucion, por nuk ka shkaktuar vakum në politikat e sigurisë”, ka thënë Zulfaj.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *