Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut reagon ndaj Borrellit për deklaratën rreth aksionit në veri
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ndaj deklaratës së shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell rreth aksionit të Policisë së Kosovës në veri p ër luftim të kontrabandës.
Kryediplomati evropian e quajti këtë aksion policor “veprim të njëanshëm, të pakoordinuar dhe të papranueshëm”, ndonëse ai i ishte ndërmarrë kundër krimit të organizuar.
Në reagim e saj, KMDLNJ-ja intervenimin e djeshëm të Policisë së Kosovës e quan në përputhje me ligjin.
KMDLNJ shprehet kundër zbatimit të standardeve të dyfishta në luftimin e krimit të organizuar.
“Tash, kur Prokuroria dhe Policia e Kosovës ndërmorën një aksion kundër krimit të organizuar e që përfundoi me 9 shqiptarë të arrestuar, 1 serb dhe 1 boshnjak reagimi ishte përkrahës përjashtuar këtu Kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq me kamarillën e tij dhe Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së dhe për fat të keq edhe ‘lehtësues’ midis Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare. Edhe më i skajshëm ishte Goran Rakiq, ministër i Qeverisë së Kosovës, i cili vetëm sa nuk i shpalli luftë Kosovës, në mbrojtje të krimit të organizuar. Në një vend normal ai do të shkarkohej, menjëherë dhe pa asnjë hezitim”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Rruga Press