Këshilli i Nënave të Rusisë, thirrje Putinit: Na tako ne, nënat e ushtarëve, jo gratë që zgjidhni vetë!
Presidenti rus Vladimir Putin ka premtuar ta rrisë sasinë e pajisjeve ushtarake të prodhuara për ushtrinë ndërkohë që vazhdon pushtimin e Ukrainës. Ai tha se nuk ka nevojë “të futet ndonjë masë e jashtëzakonshme, por është e nevojshme të bëhet një punë e qartë, me cilësi të lartë dhe e mirëkoordinuar”. Vladimir Putin këmbënguli se ishte e nevojshme për t’i pajisur Forcat e Armatosura me pajisjet e nevojshme “në kohën e duhur”.
Por zemërimi po rritet në mesin e familjeve të ushtarakëve rusë që luftojnë në Ukrainë.
Olga Tsukanova, themeluesja e Këshillit të Nënave dhe Grave të Rusisë, ka akuzuar Putinin për shmangien e këtij Këshilli, pasi ata u përjashtuan nga një takim i anëtarëve të familjeve të rekrutëve dhe Presidentit që thuhej se do të zhvillohej të premten.
Në një fjalim të regjistruar me video drejtuar Vladimir Putinit, Olga Tsukanova kërkoi që Presidenti të takohej me “nënat e vërteta” të atyre që shërbejnë në ushtrinë e vendit dhe jo me gratë “e zgjedhura me dorë” nga Kremlini për ngjarjen.
Këshilli kërkon transparencë nga Ministria e Mbrojtjes mbi vendndodhjen e ushtarëve dhe leje për të folur hapur për problemet e rekrutimit dhe mobilizimit pa pasoja kriminale.
Ministria e Mbrojtjes ka publikuar video që tregojnë ushtarët e kthyer, në përpjekje për të shuar zemërimin duke këmbëngulur që ushtarakët të trajtohen mirë.
Imazhet e publikuara nga Ministria ruse e Mbrojtjes tregojnë 50 ushtarë rusë që “rikthehen” nga Ukraina me autobus.
Pas mbërritjes së tyre të dukshme në tokën ruse, ushtarët këndojnë himnin kombëtar rus.