Gjeopolitikë

Kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk ka gjasa ta detyrojë NATO-n të tërhiqet

The Economist

Ndërsa Lufta e Ftohtë përfundoj tre dekada më parë, Perëndimi ka qenë  kryesisht i kujdesshëm në vendimet e tij. Megjithatë NATO u forcua, në 30 vite,  aleanca është zgjeruar më shumë se 1000 km në lindje të ish vijës së frontit që ndan sot Gjermaninë. Një bllok që dikur ndante vetëm një kufi të hollë me Rusinë, në skajet veriore të Norvegjisë, tani përfshin shtetet baltike, ish territoret sovjetike brenda 200 km nga Shën Petersburg dhe 600 km nga Moska.

Shtatë nga tetë ish-anëtarët e Paktit të Varshavës,  janë bërë pjesë e NATO-s. Në një samit në Bukuresht në vitin 2008, Amerika e bindi pjesën tjetër të NATO-s të deklaronte se Ukraina dhe Gjeorgjia “do të bëhen” anëtarë – një premtim i përsëritur muajin e kaluar.

Për Vladimir Putin, presidentin e Rusisë, kjo ishte edhe një poshtërim dhe një shkelje.

Pyetja ishte retorike. Putin ka kaluar pjesën më të madhe të vitit të kaluar duke mobilizuar trupa ushtarakë pranë kufirit me Ukrainën. Forca prej ndoshta 100,000 trupash mund të jetë grumbullimi më i madh ushtarak në Europë që nga Lufta e Ftohtë.

Ai madje paraqiti kërkesat më 17 dhjetor për “garanci ligjore” të sigurisë së Rusisë, në formën e projekt-traktateve me Amerikën dhe NATO-n. Në praktikë, Putin po bënte thirrje si për një tërheqje masive nga ana e NATO-s, ashtu edhe për krijimin e një sfere gjysmë formale të ndikimit rus në Europën Lindore, Kaukaz dhe Azinë Qendrore. Pakti me NATO-n do t’i kërkonte aleancës jo vetëm që të përjashtonte zgjerimin e mëtejshëm, por gjithashtu të heqë dorë nga bashkëpunimi ushtarak i çdo lloji me Ukrainën dhe me vendet e tjera jo-anëtare në sferën ish-sovjetike.

Rusia nuk do të jetë e detyruar nga asnjë masë reciproke. As NATO-s nuk do të lejohej të vendoste trupa ose armë në tokën e anëtarëve të saj në Europën Lindore, një kusht që do të përfshinte çmontimin e forcave të vogla të NATO-s të dislokuara në Poloni dhe shtetet baltike pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe aneksimit të Krimesë në 2014. Marrëveshja me Amerikën do të sillte tërheqjen e armëve bërthamore amerikane nga Europa, pa asnjë kufizim për arsenalin e konsiderueshëm të armëve bërthamore të Rusisë.

Edhe shumë vëzhgues rusë u mahnitën nga guximi i këtyre kërkesave.

“Nëse nuk ka përgjigje konstruktive brenda një kohe të arsyeshme”, paralajmëroi Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, më 31 dhjetor, “atëherë Rusia do të detyrohet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar kërcënimet e papranueshme për sigurinë tonë”.

Një interpretim është se Putin po mbështetet te Perëndimi për të hedhur poshtë kërkesat e tij maksimaliste, duke i dhënë Putin një pretekst për të pushtuar Ukrainën. Gjatë viteve të fundit, Putin dhe ministrat e tij kanë bërë akuza të turpshme dhe qesharake, duke filluar nga sugjerimi se Ukraina po kryen gjenocid mbi rusët etnikë deri te ideja se mercenarët amerikanë po përgatisin një sulm me armë kimike në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, e kontrolluar nga përfaqësuesit rusë.

Megjithëse zyrtarët europianë dhe amerikanë thonë se Rusia nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për të pushtuar Ukrainën, ajo ndoshta do të duhet të vendosë nëse do të nisë një operacion deri në fund të dimrit, sipas Michael Kofman. Toka e ngrirë e Ukrainës do të fillojë të shkrihet në mars, duke e bërë më të vështirë përparimin e tankeve. Në prill, rekrutët e Rusisë do të zëvendësohen me një grup të ri pa përvojë.

Megjithatë, ndoshta për të shmangur mundësinë e Putin të pretendojë se i ka mbaruar rruga diplomatike, Amerika ka pranuar të bisedojë. Një telefonatë midis Joe Biden, presidentit të Amerikës, dhe Putin më 30 dhjetor ishte “e sinqertë, kuptimplotë dhe mjaft konstruktive”, vuri në dukje Yury Ushakov, një ndihmës i Putin.

“Është e rëndësishme që pala amerikane ka treguar gatishmërinë e saj për të kuptuar logjikën dhe thelbin e shqetësimeve ruse”, shtoi ai. Diplomatët nga të dy vendet do të takohen në Gjenevë në 10 janar.

Dy ditë më vonë, Këshilli Nato-Rusi do të takohet në Bruksel për herë të parë pas vitesh, dhe më 13 janar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), një grup që përfshin Rusinë dhe të gjitha vendet e NATO-s, do të mblidhet në Vjenë. Stuhia e diplomacisë plotësoi dëshirën e Putin për  bisedime dhe për një shans për të shprehur ankesat e tij. Megjithatë, vetëm bisedat nuk mund të shuajnë etjen e Putinit për tu shfajësuar.

Më 27 dhjetor, Lavrov paralajmëroi kundër “diskutimeve të pafundme, gjë që Perëndimi di ta bëjë dhe është i njohur për diçka të tillë”. Putin kërkon ta paraqesë si një fitore diplomatike.

Nuk dihet se çfarë mund të jetë, por Putin dhe z Biden “po sinjalizojnë gatishmërinë për të kapërcyer pengesat konvencionale të diplomacisë për sigurinë europiane”, sugjeron Matthew Rojansky nga Instituti Kennan në Uashington.

Ai sheh dy fusha të bashkëpunimit të mundshëm: raketat dhe kontrollin e armëve konvencionale.

Raketat mund të mos duken një sinjal i përshtatshëm për të filluar. Në vitin 2019, Amerika braktisi traktatin e Forcave Bërthamore me rreze të mesme veprimi, i cili ndalonte raketat me bazë tokësore me rreze veprimi midis 500 km dhe 5,500 km. Amerika dhe NATO e kanë hedhur poshtë  ofertën e Rusisë për moratoriumin e armëve të tilla, duke argumentuar se Rusia i ka vendosur tashmë ato. Nga ana e saj, Rusia pretendon se interceptorët amerikanë antiraketë në ndërtim në Rumani dhe Poloni mund të ripërdoren si raketa-hedhës.

Megjithatë, si Amerika ashtu edhe Rusia mund të gjejnë baza për kompromis. Putin shqetësohet vazhdimisht se nëse Amerika do të përdorte raketa hipotetike me rreze të mesme veprimi në Europën Lindore, duke përfshirë Ukrainën, ato mund të arrijnë në Moskë brenda disa minutash. Ndërkohë, raketat e Putinit në Kaliningrad mund të arrijnë në Berlin po aq shpejt.

Një marrëveshje që i ndaloi ato raketa nga Europa, por e la Amerikën të lirë t’i vendosë ato kundër Kinës në Azi mund të tërheqë të dyja palët. Nëse nuk zgjidhet çështja e raketave, një temë tjetër diskutimi mund të jetë kontrolli i armëve konvencionale. Edhe këtu, të dyja palët kanë një listë të gjatë për të diskutuar.

Një pakt i nënshkruar në vitin 1999, traktati i Forcave Konvencionale në Europë (acfe), u pezullua pasi vendet perëndimore akuzuan Rusinë për dështimin për t’u tërhequr në kohë nga Moldavia dhe Gjeorgjia, të dyja ish-republika sovjetike. Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në 2007 dhe u tërhoq nga traktati krejtësisht në 2015, e zemëruar që të tjerët nuk e kishin ratifikuar atë.

Aleatët perëndimorë ankohen se Rusia ka hedhur poshtë rregulla të tjera që u kërkojnë vendeve të njoftojnë paraprakisht për stërvitjet e mëdha – si ushtrimi Zapad i vitit të kaluar. Rusia, nga ana tjetër, thotë se Perëndimi ka dështuar të marrë në konsideratë sugjerimet e tij, gjatë viteve të fundit.

Olga Oliker e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, një tjetër institut, sugjeron se Deti i Zi do të ishte një kandidat premtues për kufizim reciprok, për shembull, vendet e NATO-s që kryejnë më pak patrullime pranë Krimesë në këmbim të Rusisë që pranon kufizimet në flotën e saj të Detit të Zi. . “E gjithë kjo mund të zgjidhet,” tha ajo. “Por të gjithë duhet të jenë të gatshëm të ulen dhe të bëjnë kompromis.”

Masat si këto do të ishin të mirëpritura, çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë. Në narrativën e Putin Amerika dhe aleatët e saj europianë përfituan nga dobësia e Rusisë në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000 duke hedhur poshtë premtimet e tyre për të mos zgjeruar NATO-n; duke i shpallur luftë Serbisë, një aleate ruse, në vitin 1999; dhe duke mbështetur të ashtuquajturat “revolucione me ngjyra” kundër regjimeve autoritare pro-ruse në shtetet ish-sovjetike.

Në të vërtetë, këtë javë organet e lajmeve pro-Kremlinit ranë dakord, se protestat anti-qeveritare në Kazakistan pasqyronin një përpjekje perëndimore për të dëbuar miqtë e Rusisë nga pushteti. Është e vërtetë që Rusia mori garanci të ndryshme se NATO nuk do të zgjerohej  por gjithashtu ra dakord kur NATO ndryshoi qëndrimin e saj.

Në vitin 1997,  edhe kur Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia po ftoheshin për t’u bashkuar me aleancën,  Rusia dhe NATO nënshkruan një “akt themelues” në të cilin Rusia pranoi zgjerimin e NATO-s. Në këmbim, NATO përjashtoi dislokimin “e përhershëm” të “forcave të konsiderueshme luftarake” në Europën Lindore ose vendosjen e armëve bërthamore. Për më tepër, Amerika tërhoqi një numër të madh trupash nga Europa pas Luftës së Ftohtë dhe vendet europiane reduktuan forcat e tyre të armatosura në mënyrë dramatike.

Këto hapa patën një efekt të dobishëm në perceptimin e Rusisë për aleancën. Në vitin 2001, menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit, Putin u takua me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe përshëndeti “ndryshimin në qëndrimin dhe këndvështrimin e të gjithë partnerëve perëndimorë”.

Në fund të vitit 2010, periudhë në të cilën një duzinë vendesh të reja ishin bashkuar me NATO-n, Dmitry Medvedev, atëherë presidenti i Rusisë, tha: “Ne kemi arritur të lëmë pas nesh marrëdhëniet e tensionuara”. Marrëdhëniet janë përkeqësuar gjatë kohëve të fundit jo për shkak të agresionit nga NATO, por për shkak se Rusia pushtoi Gjeorgjinë në 2008 dhe Ukrainën në 2014.

Ajo gjithashtu ka zhvilluar luftë politike në të gjithë Amerikën dhe Europën gjatë dekadës së kaluar, në formën e ndërhyrjes në zgjedhje, sabotazhit dhe atentatit. Në vend të tij, Putin e ka rrënuar demokracinë duke manipuluar zgjedhjet, duke helmuar kundërshtarët dhe duke shtypur shoqërinë civile.

Përjashtimi i anëtarësimit të Ukrainës nuk do ta qetësonte domosdoshmërish  Putin. “Kremlini e di se nuk ka asnjë qëllim nga NATO që të përfshijë Ukrainën dhe Gjeorgjinë në çdo kohë në të ardhmen e afërt”, thA Wolfgang Ischinger, një ish-diplomat gjerman dhe kryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

“Problemi themelor është frika e modernizimit të Ukrainës dhe shndërrimit në një model për rusët që jetojnë në anën tjetër të kufirit.”

Ndërkohë, që NATO të zyrtarizojë faktin që Ukraina nuk do të bashkohet së shpejti me aleancën do të ishte një goditje për reformatorët e vendit. Një mënyrë për të sheshuar situatën, sugjeron  Ischinger, do të ishte miratimi i qëndrimit të mbajtur nga Bashkimi Europian  gjatë viteve të fundit: se, ndërsa zgjerimi është qëllimi në parim, bashkimi duhet së pari të reformojë veten.

Kjo mund të zhgënjejë Ukrainën, pa dhënë përshtypjen se Rusia ka të drejtën e vetos mbi zgjerimin e aleancës. Ukraina nuk është i vetmi vend ku ka lindur kjo dilemë. Gjeorgjia u ftua gjithashtu për t’u anëtarësuar në 2008, por anëtarësimi i saj do të kërkonte gjithashtu që NATO të trashëgonte një tjetër konflikt të hapur; Rusia do të pushtonte një të pestën e vendit, në territoret separatiste të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Ndërkohë në Ballkan, Bosnje-Hercegovina, një tjetër kandidat, është gjithashtu larg anëtarësimit. Rusia kundërshton gjithashtu zgjerimin e NATO-s për të përfshirë Suedinë dhe Finlandën, të cilat ishin të dyja neutrale gjatë Luftës së Ftohtë, por kanë krijuar lidhje të ngushta me NATO-gjatë viteve të fundit.

Më 1 janar, disa ditë pasi ministria e jashtme e Rusisë kërcënoi me “pasoja të rënda ushtarake dhe politike” nëse Suedia ose Finlanda do t’i bashkoheshin aleancës, Sauli Niinisto, presidenti i Finlandës, hodhi poshtë përpjekjet e Rusisë.

Ironia është se përpjekjet e Rusisë për të ndalur zgjerimin e NATO-s drejt lindjes mund të përfundojë duke arritur pikërisht të kundërtën.

Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2014 rinovoi aleancën, katalizoi një rritje të mprehtë të shpenzimeve europiane të mbrojtjes dhe çoi në krijimin e vetë dislokimeve të NATO-s në Europën Lindore që Putin tani dëshiron të tërhiqet. Një tjetër sulm më i madh rus ndoshta do të çonte në dislokime edhe më të mëdha. Në të njëjtën mënyrë, edhe pse një pushtim i dytë rus i Ukrainës mund t’i japë fund çdo perspektive për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, ai mund të shtyjë vendet e tjera të bëhen pjesë e aleancës.

Për Putin, bixhozi mund t’ia vlejë. Më mirë të filloni një luftë tani, pavarësisht kostove, sesa të rrezikoni që Ukraina të mbushet me trupa të huaja në një dekadë. Tridhjetë vite më parë Robert Jervis, një shkencëtar politik, aplikoi teorinë e perspektivës, një degë e ekonomisë për luftën dhe paqen. Teoria vëren se njerëzit priren të rrezikojnë më shumë kur mendojnë se po humbasin.

“Luftërat më pas do të shkaktohen nga frika e humbjes,” theksoi ai.

Ajo që Putin pretendon se është një burim për sigurinë,  pjesës tjetër të Europës i duket si një përpjekje e kotë për të rimarrë shtetet e dikurshme  dhe për t’i mbajtur ato nën një formë të ndikimit rus.

Një Kremlin i pasigurt që sulmon për ta bërë vendin më të sigurt, në këtë mënyrë ndërton një spirale pasigurie.

Ischinger, ish-diplomati gjerman, kujton se kishte pyetur një zyrtar të lartë rus në Moskë në 1993 se si synonte vendi të qetësonte frikën e vendeve të sapoçliruara si Polonia dhe Ukraina.

“Çfarë të keqe ka që fqinjët tanë të jetojnë me frikë nga ne?” u përgjigj zyrtari. “Fatkeqësisht,” tha Ischinger, “shumë pak, për të mos thënë asgjë, nuk ka  ndryshuar”./Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *