Këngët e Bob Dylan, kompania e njohur muzikore kërkon t’i blejë për çmimin marramendës
Universal Music Group, një nga kompanitë muzikore më të mëdha në botë, po shkon drejt një marrëveshje për të blerë të gjithë katalogun e këngëve të Bob Dylanit.
Ky koleksion përfshin gjashtë dekada karrierë të artistit dhe përfshin shumë nga pjesët më ikonike të historisë së muzikës botërore.
Kompania Universal nuk e ka bërë të ditur çmimin e marrëveshjes, megjithëse njohësit e fushës thonë se këngët e artistit vlejnë më shumë se 200 milion dollarë. Koleksioni përfshin 600 vepra, që nga këngët e fillimit të viteve ’60 të tilla si “Blowin ‘in the Wind ” dhe “The Times They Are Changin” dhe deri te albumi i fundit “Rough and Rowdy Ways”.
Bob Dylani, 79 vjeç, cilësohet si një ndër artistët më të mirë të historisë së muzikës. Së fundmi ai është nderuar edhe me një çmim Nobel, që ngjalli edhe polemika të ndryshme.
“Unë nuk kam asnjë dyshim se dekada, madje shekuj nga tani, fjalët dhe muzika e Bob Dylan do të vazhdojë të këndohen, të luhet dhe të çmohen kudo”, tha në një deklaratë shefi ekzekutiv i Universal.
Blerja e të drejtave të këtyre këngëve mund të përdoret për të fituar para në mënyra të ndryshme, duke përfshirë dhënien e tyre në radio, nëpër filma dhe reklama të ndryshme.
Njohësit e muzikës shkruajnë se asnjë këngë e Dylanit nuk ka qenë në krye të Billboardeve, por pak autorë këngësh mund të pretendojnë një katalog më të thellë se ai i Dylanit. Në vitin 2004, revista prestigjoze “Rolling Stone” përfshiu 15 nga veprat e tij, në listën e saj të këngëve më të mira të të gjitha kohërave dhe vendosi “Like a Rolling Stone” në krye.
Kantautori Dylan u ngjit në skenë në fillim të viteve 1960 dhe tekstet e tij poetike të shoqëruara me muzikë kanë cekur thellë thuajse të gjitha problemet socio-politike të dekadave.