Këlliçi në Konferencën e Kryetarëve: Mazhoranca po ngushton hapësirat e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, shkelje e Kushtetutës dhe e rregullores
Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar mazhorancën për kufizim të hapësirave që i takojnë opozitës në Kuvend, duke e cilësuar këtë një veprim antikushtetues dhe të patolerueshëm.
‘Po ngushtoni hapësirat që ka opozita në Kuvend. Kjo është anti-Kushtetuese dhe e pa tolerueshme. Opozita nuk kërkon trazirë dhe nuk është për jo normalitet, po na e impononi ju reagimin e fortë. E impononi ju me shkeljen e Kushtetutës’, është shprehur Këlliçi.
Ai reagoi ashpër ndaj tentativave për të ndryshuar traditën e pyetjeve që i drejtohen institucioneve të pavarura, duke e lidhur këtë me frikën që, sipas tij, mazhoranca ka nga raportimet e drejtësisë.
‘Ju donit dje të ndryshonit traditën e pyetjeve për institucionet e pavarura për shkak se keni hallin kur të raportojnë institucionet e drejtësisë. Keni frikë nga pyetjet e opozitës për ato institucione dhe për drejtuesit e drejtësisë. Sa i përket rregullores dhe respektit të hapësirës së opozitës mjafton t’ju them se në 3 javë ke përjashtuar 2 herë kreun e grupit të PD me porosi të Ballës’, ka thënë më tej Këlliçi.
Rruga Press

