Këlliçi me banorët e Sharrës: Vdēkja e Ardit Gjoklajt nxiti Veliajn të nisë aferën e inceneratorit. Paratë e taksave, do të bëhen shërbime
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi zhvilloi takime me banorët e zonës së Sharrës. Ai paraqiti programin e tij, 5 pikat kryesore që sjellin ndryshimin në Tiranë, dhe kërkoi mbështetjen e qytetarëve.
Zona e Sharrës është e lënë pas dore dhe gjatë viteve të fundit kanë munguar investime që do të përmirësonin jetesën e komunitetit. Por sikur të mos mjaftojë kjo, banorët e Sharrës dhe gjithë Kombinatit, vuajnë ende ndotjen e ajrit për shkak të mbetjeve urbane që hidhen në landfill.
Belind Këlliçi e cilësoi këtë si minierë ari për Erion Veliajn, dhe dëm ndaj qytetarëve.
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi u shpreh se vdekja e Ardit Gjoklajt në Sharrë, shërbeu si pretekst që Erion Veliaj të niste aferën me inceneratorin e Tiranës, që sot i kushton taksapaguesve të Tiranës plot 80 mijë euro në ditë.
“Arsyeja pse po ua përmend këtë, është se u gjet ky justifikim, që në vitin 2016 kur kjo ndodhi, të fillohej të flitej për herë të parë për koncesionin e inceneratorit të Tiranës. Këtu ka një problem shumë të madh. Ju nuk e keni idenë në aspektin financiar se çfarë vjedhje ndodh vetëm pak metra larg nga ju. 80 mijë euro në ditë vjedhin nga taksat e tua, të mijat, të gjithëve neve këtu. E di çfarë domethënë 80 mijë euro në ditë? Sikur një javë të hidhen ato lekë këtu në zonë, zgjidhet problemi me rrugicat hyrëse”, u shpreh Këlliçi.
Për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, aq para sa sot shkojnë për aferën e inceneratorit, mjaftojnë për të mundësuar transportin publik falas për 200 mijë qytetarë të Tiranës. Pas 14 majit, ky angazhim do të bëhet realitet, “pasi u shërben shtresave në nevojë dhe jo klientelës së Erion Veliajt”, tha Këlliçi.
“Unë kam premtuar transport publik falas, autobusin falas për 200 mijë qytetarë në ditë. Një shërbim që kushton sa para që shkojnë për inceneratorin që nuk ekziston. Ajo bileta 400 lekëshe nuk është dhimbje koke për të pasurit, por është për të varfrit. Ajo masë që unë kam propozuar nuk i shërben oligarkëve, klientelës së Erion Veliajt. Është një shërbim i dedikuar për pensionistët, për studentët, për familjet në nevojë, për shtresat në nevojë”.
ransporti publik falas do të jetë një shërbim që për të gjithë banorët e kryeqytetit, përfshirë edhe ata në zonat rurale. Këlliçi tregoi edhe si do të realizohet ky projekt.
“Në të gjithë katundet e Tiranës, në të gjithë fshatrat dhe në qytet, që kur të hipin në autobus, të ndjekin të njëjtin model që ka në 250 qytete të tjera në bot, që hipet në autobus, ka një kartë elektronike, e çekon, e shtyp aty, dhe vazhdon rrugën. Siç e ka e gjithë vendet e zhvilluara. Pse? Sepse unë kam vendosur që taksat e qytetarëve të mos i marrë e t`i çojë për shërbime që nuk ekzistojnë, por t’i marr e t’i çoj për qytetarët”, u shpreh Këlliçi.
Teksa transporti publik pritet të ulë kostot e jetesës, por edhe trafikun, një tjetër plan ambicioz për të lehtësuar qarkullimin në rrugët e kryeqytetit, është nënkalimi te sheshi “Skënderbej”. Para banorëve të Sharrës, Belind Këlliçi u shpreh se po kritikohet për koston e ulët të këtij projekti, pasi sipas tij, nxjerr zbuluar aferat e Erion Veliajt me kostot e fryra për ndërtimin e Unazës së Re.
“E keni para projektin për nënkalimin te “Sheshi Skënderbej”, që kam propozuar tunelin e nëndheshëm te sheshi? A e dini kush është akuza e vetme që kam marrë? Kushton shumë pak, 4.5 milionë euro. Sepse unë e kam propozuar me çmim kostoje, u kam thënë që nuk do vjedh. Jam ulur me urbanistët, më kanë nxjerrë faturën, më kanë thënë që është 4.5 milionë euro. Çfarë? Të dal unë të them që është 20, është 30? Problemi është se u prish punë se i nxjerr zbuluar me çfarë kanë bërë këta. Këta kanë vënë një standard: kanë ndërtuar në Unazë të Re 24 milionë euro kilometrin”, u shpreh Këlliçi.
Kandidati i opozitës foli edhe për planin e ofruar për uljen e taksave dhe tarifave vendore, ku pritet të përfitojnë bizneset por edhe qytetarët.
“Kam dhënë premtim përgjysmimin e tarifës për hapësirën publike, përgjysmimin e tarifës për pastrim gjelbërimin, zerimin e taksës, edhe ti e paguan, për arsimin që është një taksë që ka mbledhur Erion Veliaj 41 milionë euro këto 7 vjet, dhe nuk ka ndërtuar një çerdhe, një kopsht, një shkollë për gjithë zonën e Unazës së Re, që janë 70 mijë banorë”, u shpreh Belind Këlliçi.
Para banorëve të Sharrës, Belind Këlliçi premtoi se do të pastrojë Bashkinë e Tiranës nga patronazhistët dhe aktivistët, ndërsa deklaroi se një ndër strukturat e para që do të reformohet është Policia Bashkiake, e cila sot është kthyer në gjobëvënëse ndaj qytetarëve.
“Bashkia e Tiranës nuk do të ketë më vend as për patronazhistë dhe as për aktivistë, do të ketë vend për të rinj e të reja të Tiranës, të vijnë të punojnë për qytetin dhe nëpunësi i shtetit do duhet të jetë nëpunës i shtetit. Po 24 orë pas 14 majit unë do ta reformoj. Policia bashkiake do të jetë në shërbimin tuaj dhe t`i dridhet dora kur e kap stilolapsin dhe i vendos gjobë qytetarit. Ta mendojë mirë. Çdo vit në buxhetin e bashkisë ka planifikim buxheti dhe realizim faktik të buxhetit të bashkisë. E dini që e vetmja shifër, i vetmi zë, që tejkalohet në masën 300% është parashikimi i gjobave të Policisë Bashkiake. Pra nëse në të gjithë zërat e tjerë ka mungesë të realizimit të planit çfarë është e planifikuar dhe realizimi faktik, kur vjen puna te gjobat e vendosura nga Policia Bashkiake tejkalohet me 300% objektivi”, tha Këlliçi.
Për të bërë realitet planin e tij për kryeqyteti, Belind Këlliçi kërkoi mbështetjen e banorëve të Sharrës në zgjedhjet e 14 majit.
Rruga Press