KEK: Punimet në bllokun B2 kanë përfunduar, sonte ose nesër kthehet në prodhim
Blloku B2 i Korporatës Energjetike të Kosovës, i cili është jashtë funksionit që nga 14 dhjetori pritet të rikthehet në prodhim gjatë natës së sotme eventualisht, gjatë ditës së nesërme.
Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli.
Ai tha se punimet në këtë bllok kanë përfunduar dhe tani janë në fazën e testimit, derisa prodhimi mund të kthehet gjatë orëve të mbrëmjes ose nesër.
“Punimet në bllokun B2 kanë përfunduar, tani jemi në fazën e testimit dhe startimit të bllokut. Rikthimi i prodhimit mund të ndodh çdo orë, nuk mund të japim kohë të saktë por parashihet në mbrëmje ose nesër”, ka thënë Bucolli.
Në një konferencë për media ne dhjetor 2021, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, tha se te termocentrali “Kosova B” vetëm blloku B1 është në operim, derisa për bllokun B2 presin ta kthejnë në operim nga data 20 janar.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nënshkruar një kontratë në vlerë 248,650 mijë euro për angazhimin e ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ultë në Njësinë B2 të Termocentralit B.
Fituese e kontratës është “GE Steam Poëer Service France Representative Office in Kosovo” dega në Kosovë, me të cilën është nënshkruar kontrata përmes procedurës së negocuar më 23 dhjetor.
Financimi është bërë me mjete vetanake të KEK-ut ndërsa kohëzgjatja e kontratës ishte përcaktuar të jetë 21 ditë. Brenda një ditë kjo kompani e cila ka dërguar ekspertë në Kosovë ka marrë 11,840 euro.
Që nga muaji dhjetor Kosova është përballur me krizë energjetike dhe për një kohë qytetarët janë përballur edhe me reduktime të energjisë elektrike.
Në dhjetor Qeveria e Kosovës kishte ndarë 20 milionë euro për të blerë energji, në kohën kur çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar e kishte arritur pikun.
Gjatë kohës së krizës energjetike, KEDS dhe KESCO kanë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.
Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.
Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.
Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.
Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.
Rruga Press