KEK padit për shpifje kandidaten e LDK-së Janina Imeri, e cila u prezantua në media si “eksperte e energjisë” duke përhapur dëzinformata
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se ka parashtruar padi ndaj kandidates së LDK-së që tashmë i ka fituar votat për t’u bërë deputete znj. Janina Imeri. Sipas KEK-ut, ky veprim është pjesë e masave ligjore për mbrojtjen e integritetit institucional dhe padia aktualisht është në shqyrtim nga organet kompetente të drejtësisë
Në njoftimin zyrtar, KEK thekson se, në përputhje me kompetencat ligjore dhe legjislacionin në fuqi, do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të raportimit dhe veprimeve ligjore për të parandaluar përhapjen e informatave të rrejshme dhe propagandës, përfshirë edhe rastet kur ato vijnë nga zyrtarë publik.
“Korporata nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për denigrimin e punonjësve apo përfaqësuesve të saj, apo atribuimin e përgjegjësive që nuk i përkasin KEK-ut”, thuhet në komunikatë, duke paralajmëruar se raste të tilla do të ndiqen ligjërisht deri në fund.
Po ashtu, KEK sh.a. ka mohuar se ekzistojnë pengesa në qasjen në informacionet zyrtare, duke theksuar se të gjitha të dhënat janë publike, transparente dhe të qasshme përmes ueb-faqes zyrtare të Korporatës. Sipas KEK-ut, këto të dhëna janë zyrtare, të verifikueshme dhe të krahasueshme edhe me të dhënat publike të KOSTT-it.
Në fund, Korporata Energjetike e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj ndaj transparencës, informimit të saktë dhe mbrojtjes së integritetit institucional.
Rruga Press

