Katërshja e UÇK-së thotë sot fjalët përfundimtare në Hagë
Katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot do të thotë fjalën e vet përfundimtare.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë nga 20 minuta kohë secili për deklarime.
Sot pritet numër i madh i familjarëve të marrin pjesë në galerinë publike brenda ndërtesës së Speciales.
Në këtë seancë do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri, Glauk Konjufca, i cili para hyrjes në Dhomat e Specializuara do të deklarohet për media.
Seanca do të fillojë në orën 09:00, ku mbrojtësi i viktimave ka kërkuar 20 minuta kohë për parashtrimet e fundit, më pas pritet që ekipet mbrojtëse t’i drejtohen trupit gjykues edhe për 30 minuta.
Më pas, trupi gjykues do t’i ketë tre muaj kohë për të marrë vendimin final dhe nëse ka nevojë do të kërkojë edhe kohë shtesë.
Kjo pritet të ndodhë për shkak të dosjes voluminoze.
Deklarimet përmbyllëse kanë nisur me datën 9 shkurt, të hënën e kaluar.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka mbërritur në Hagë ku do të marrë pjesë në seancën e radhës në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në të cilën priten edhe fjalimet e tyre.
Konjufca, nga Haga gjatë një pritjeje të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Holandë të martën, ka deklaruar se askush nuk mund të shkelë mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se lufta çlirimtare përbën, sipas tij, vlerën më sublime mbi të cilën është ndërtuar shteti i Kosovës.
Rruga Press

