Katër vjet luftë, BE: Rusia dështoi, luftës i japim fund vetëm si një forcë e përbashkët
Kjo e martë shënon 4-vjetorin e nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, me liderët e Bashkimit Evropian që u mblodhën në Kiev pranë presidentit Zelensky në shenjë mbështetjeje.
Të pranishëm në kryeqytetin ukrainas kanë qenë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit, Antonio Costa dhe zyrtarë të tjerë të spikatur.
Në fjalën e saj, presidentja Von der Leyen deklaroi se paqja në Ukrainë duhet të arrihet sipas kushteve të Kievit dhe jo atyre të Moskës.
Ndërsa Costa kritikoi veton hungareze për bllokimin e huasë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. “Vetoja është e papranueshme, por drita e gjelbër do të vijë”, tha Costa.
Ndërsa vetë presidenti Zelensky nënvizoi se ndihma financiare duhet të miratohet dhe se Ukrainës i duhet një datë e qartë për bashkimin me BE-në, për të ndalur përpjekjet e Rusisë për të përçarë Evropën.
Ai tha gjithashtu se presidenti rus Putin dështoi me luftën e tij, por i drejtoi një apel edhe presidentit amerikan Donald Trump, duke i kërkuar që të mos bjerë në kurthin e kreut të Kremlinit.
Ndërkohë, presidenti Emmanuel Macron reagoi përmes një postimi në rrjetin “X”, ku u shpreh se dështimi i Rusisë me luftën është i trefishtë.
“Kjo luftë është një dështim i trefishtë për Rusinë: ushtarak, ekonomik dhe strategjik. Lufta përforcoi NATO-n, të cilën përpiqej ta pengonte, bashkoi evropianët që synonte t’i dobësonte dhe nxori në pah brishtësinë e një imperializmi të harruar”, tha Macron.
Me një reagim të ngjashëm, kancelari gjerman Friedrich Merz vlerësoi se fati i Ukrainës është edhe fati i Evropës. “Lufta është kthyer në Evropë dhe vetëm me një forcë të përbashkët mund t’i japim fund. Sepse fati i Ukrainës është edhe fati ynë”, tha Merz.
Rruga Press

