Lajme

Katër pikat për qetësimin e situatës në veri dhe deklarata e zëvendëskryeministrit Bislimi – veprimet do tё finalizohen brenda dy javëve

Një ditë më parë u bënë të ditura katër pikat për tejkalimin e situatës së tensionuar në veri të vendit pas një takimi që pati zëvendëskryeministri Besnik Bislimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pikat u bënë të ditura të martën në orët e vona pas dakordimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, gjersa Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është pajtuar të zvogëloj praninë policore dhe zgjedhjet e reja në katër komunat të shpallen pas verës.

Në një njoftim për media Qeveria njofton se fokusi kryesor i takimit nё Bratisllavё me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Lajçak ishte krijimi i parakushteve pёr pёrforcim tё fokusit nё zbatimin e plotё dhe tё pakusht tё Marrёveshjes Bazike tё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars.

Nё kёtё drejtim Qeveria thotë se janë dakorduar për katër pika:

“Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjëhershëm nё masën e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”.

“Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundësinë për zvogëlim tё mëtejmë tё prezencës policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”.

“Qeveria e Kosovës përmes njё deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh përkushtimin pёr sigurimin e bazës sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”.

“BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes”.

Qeveria thotë se veprimet e sipërpërmendura do tё finalizohen brenda një periudhe dyjavore.

E pas njoftimit për dakordimin Kosovë-BE lidhur me tejkalimin e situatës në veri, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Serbia nuk mund të fshihet më prapa tentativave për tensione e kriza.

“Serbia duhet të ndalojë veprimet e saj nxitëse të dhunës, që çoi në sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, në konfiskimin e një arsenali të madh municionesh në afërsi të komunës së Zveçanit, e kidnapimin e tre zyrtarëve tanë policorë thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës”.

Lexo më shumë  Donika Gërvalla kritikon Edi Ramën për editorialin me Aleksandar Vuçiqin në Frankfurter Allgemeine Zeitung

“Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara. Nuk mund të fshihen më prapa tentativave për tensione e kriza, për eskalim të situatës. Ka ardhur momenti që marrëveshja të zbatohet, në mënyrë të drejtë, të pakushtëzuar e të balancuar”.

Ai shton se vullneti dhe konstruktiviteti i palës kosovare në këtë proces, asnjëherë nuk ka munguar.

“Këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë”, ka deklaruar pos tjerash Bislimi.

Rruga Press

YouTube player