Kategoria Superiore/ Nuk ka fitues, Vllaznia-Partizani mbyllet me rrjeta të paprekura
Vllaznia dhe Partizani u ndanë në një barazim pa gola në “Loro Boriçi” në sfidën e javës së 30-të të Kategorisë Superiore.
Partizani e nisi menjëherë në sulm, teksa gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 8-të me Skukën por VAR e anulon për pozicion jashtë loje.
Skuadra vendase përgjigjet menjëherë me Adilin, që ka rastin e artë për të ndëshkuar të kuqtë, por mbrojtësi gjen vetëm rrjetën e jashtë të portës së mbrojtur nga Alban Hoxha.
Në minutën e 40-të ndeshja u ndërpre për pak minuta, pasi Liridon Latifi dhe Albion Marku u përplasën keq me njëri-tjetrin gjatë një dyluftimi mes tyre, teksa duhej edhe ndërhyrja e ndihmës së shpejtë.
Pjesa e parë do të mbyllej me demat në sulm, të cilët humbasin një rast të pastër para portës së Zogovic, me Rrapajn që e çon topin te Murataj, por ky i fundit nuk e dërgon dot sferën në rrjetë.
Partizani kërkon golin e avantazhit përballë Vllaznisë, teksa Bitri, Skuka dhe Matondo nuk do të mund të tregoheshin të saktë në finalizim përballë Zogovic.
Mehmeti me djemtë e tij kërkojnë dëshpërimisht golin e fitores në “Loro Boriçi”, teksa Cara në një rast do të provonte reflekset e Zogovic, por gjithçka ishte e pavlefshme pasi sulmuesi i kuq ishte pozicion jashtë loje.
Mustedanagic do të përgjigjej, por goditja e tij do të shkonte mbi portën e Hoxhës, me takimin që do të mbyllej 0-0 mes dy ekipeve, që ndajnë kështu nga një pikë.
Pas këtij dueli Partizani mban vendin e 4-të me 43 pikë, ndërsa e ndjek Vllaznia me një pikë më pak.
Rruga Press