Katastrofat natyrore shkaktuan 250 miliardë dollarë dëme
Katastrofat natyrore dhe ngjarjet e ndërlidhura me motin ekstrem shkaktuan 250 miliardë dollarë humbje brenda këtij viti.
Kjo shifër paraqet rritje prej 24 për qind krahasuar me vitin e shkuar, njoftoi kompania më e madhe në botë e sigurimeve, Swiss Re.
Për industrinë e sigurimeve vetëm, “ngjarjet e ndërlidhura me motin e ekstrem, përfshirë ngricat, vërshimet, stuhitë, valët e nxehtësisë dhe uraganet”, rezultuan me humbje vjetore në sigurime nga katastrofat natyrore deri në 105 miliardë dollarë. Kjo vlerë është e katërta më e lartë që nga viti 1970”, pohon Swiss Re.
Humbjet në sigurime nga katastrofat natyrore këtë vit “sërish tejkaluan mesataren e 10 vjetëve të shkuara, duke e vazhduar trendin vjetor të rritjes prej 5-6 për qind në dekadat e fundit”, njoftoi gjiganti i sigurimeve.
Katastrofat natyrore më të shtrenjtat për këtë vit ishin në SHBA.
Uragani, Ida, shkaktoi humbjen mes 30-32 miliardë dollarëve në sigurime dhe stuhia, Uri, shkaktoi 15 miliardë dollarë humbje.
Në Evropë ishin vërshimet në Gjermani e Belgjikë dhe shtetet e tyre fqinje, përgjatë muajit korrik, të cilat shkaktuan humbje prej 40 miliardë dollarëve në ekonomi dhe 13 miliardë dollarëve në sigurime.
Përpos katastrofave natyrore, katastrofat e shkaktuara nga faktori njeri, sollën 9 miliardë humbje në ekonomi këtë vit./REL
Rruga Press