“Kanë marrë më shumë seç u takon”/ Protestuesi i kthehet Ramës: E pavërtetë, na keni grabitur, duam të respektohet ligji.
Qytetarët protestues, të cilëve i janë prishur shtëpitë janë vendosur përpara Ambasadës së BE në Shqipëri.
Teksa i bënin apel ambasadorit Luigi Soreca, për të ndërhyrë në zgjidhjen e kësaj problematike, qytetarët, i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama. Ata kanë thënë se nuk kanë përfituar asgjë, ndryshe nga seç pretendon kryeministri.
Qytetarët kanë nënvizuar se janë shtetas me të drejta të plota dhe kërkojnë që të respektohet ligji.
“Ne zoti Rama nuk marrim atë që na takon. Ne duam atë që na takon neve. Duam atë që kemi me djersën dhe mundin tonë, duam të marrim atë që na keni premtuar. Ne do të marrim atë që na takon me djersë nga Kushtetuta dhe Kodi Civil. Ne kemi legalizimet dhe pagesat e nevojshme. Ne kërkojmë të njihen ligjet që keni miratuar ju. Ne kërkojmë që ato që ke miratuar me VKM të zbatohen. Ne sot s;kemi banesa ku të jetojmë. S’kemi lekë për qira. Kjo nuk është aktmarrëveshje. Në cdo aktmarrveshje të bërë nga kryetari i bashkisë thotë që do të mbaroni në filan dit pagesë, por ne se kemi të paracaktuar këtë. Ju tërhiqni vëmendjen parlamentit, kryeministrit, ne po persekutohemi. Ne po grabitemi. Ju lutem reagoni. Jemi qytetarë që duam të jetojmë, na jepni vizat të ikim që këtu dhe sillni në Shqipëri kë të doni”, tha qytetari.
Një tjetër qytetar ka kërkuar nga ambasadori Soreca që të ndërhyjë, ose në të kundërt sipas tij do të detyrohen të dynden në ambasada të marrin viza e të largohen, njëjtë si në vitin 1990.
“Zoti Ambasador ju kërkojmë të bëni takim me qeverinë shqiptare dhe i kërkoni të zbatojnë ligjet. Ju i thoni qeveritarëve se si i trajtoni qytetarët e botës dhe si trajtohen në Shqipëri. Kërkojini llogari e mos mashtroheni nga fjalët që thonë. Edhe njëherë mos i besoni fjalëve të tyre dhe ne mos të kthehemi në ’90-ën e të dyndemi ambasadës për shpëtimin e jetëve tona. ne kërkojmë mbrojtjen e shtëpive tona që kemi 30 vite që i kemi ndërtuar. S’kemi shtëpi në Gjirin e Lalzit, në Durrës apo Dhërmi. Kemi vetëm një shtëpi të bërë me djersë e ndaj po protestojmë. Ju lutem vendosni dorën në zemër dhe të respektohet ligji”, u shpreh qytetari.
Rruga Press