KryesoreLajme

Kandiq tregon lokacione në Serbi ku duhet rigërmuar në kërkim të trupave të të zhdukurve me dhunë

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, ka bërë thirrje të kryhen rigërmime në disa lokacione, kryesisht në Serbi, ku janë zbuluar varreza masive.

Ajo mori pjesë në Forumin e 16 mbi Drejtësinë Tranzicionale në vendet post-jugosllave, që u mbajt në Prishtinë, dhe në një intervistë për KOHËN tha se tani është koha e fundit për t’u bërë presion qeverive për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.

 “Batajnica nuk është punë e kryer, Peruqaci po ashtu nuk është i përfunduar dhe po ashtu çka është me rëndësi, edhe Petrovo Sello. Por, edhe disa lokacione si fshati Budisavci, Likoshani përmenden prej shumë e shumë njerëzve dhe bazuar në njohuritë e tyre ndoshta disa mbetje janë aty, por ka prova të shumta që është e mundshme se edhe mbetjet mortore të 16 personave prej 27 prillit të 1999-s janë diku në zonën e Batajnicës”, është shprehur ajo.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Vitin e shkuar, Kosova dhe Serbia, nëpërmjet një deklarate, kanë dhënë një numër zotimesh për të bashkëpunuar me synim të zbardhjes së fatit të të zhdukurve, por ajo nuk është zbatuar.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar në Serbi qasje në arkiva, me synimin për të siguruar informata potenciale për të zhdukurit.

Kandiq thotë se të dyja shtetet duhet të ndryshojnë qasje.

“Tash është koha për të bërë presion te qeveritë, veçanërisht te Serbia, por edhe te Kosova, që ta ndryshojnë qasjen dhe t’u themi: Tani është me rëndësi t’i shpalosim informatat për varrezat masive”.

Kandiq ka shprehur edhe brengën se me kalimin e viteve, po rriten vështirësitë në sigurimin e informatave për të zhdukurit gjatë luftës.

“Duke bërë hulumtim lidhur me të zhdukurit jemi shokuar me gjendjen në terren meqë disa të afërm të të zhdukurve nuk mundëm t’i gjenim, për të na treguar lidhur me të afërmit e tyre sepse të gjithë kishin vdekur, shumë prej tyre ishin larguar prej Kosovës ose prej Serbisë dhe ishte e vështirë ta dëgjojmë kujtimin e tyre për të zhdukurit. Tash është koha e fundit për të ndryshuar strategji, për të treguar vullnet politik, por pa presion publik e pa presion prej gazetarëve e mediave do të jetë shumë shumë e vështirë”, ka shtuar Kandiq.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Të premten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se në varrezat afër Tjegullores në Podujevë janë gjetur mbetjet mortore të një individi që dyshohet se i përket listës së të zhdukurve me dhunë. Ajo theksoi se gërmimet janë duke vazhduar në kërkim edhe të individëve të tjerë.

E, Kandiq, mes lokacioneve për gërmim në Serbi, përmendi edhe Tutinin e Sjenicën.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë./Koha.net

Rruga Press

YouTube player