Bota

Kandidati për kancelar të Gjermanisë premton një ultimatum 24-orësh për Putinin, rreth luftës në Ukrainë

Nëse zgjidhet, kandidati gjerman për kancelar Friedrich Merz ka thënë se do t’i japë Rusisë një ultimatum për të ndaluar agresionin e saj kundër Ukrainës brenda 24 orëve.

Kështu raportojnë mediat e huaja, sipas të cilave ai nuk përjashtoi një bisedë të drejtpërdrejtë telefonike me diktatorin rus Vladimir Putin.

“Nëse ka një arsye për këtë dhe arrihet një marrëveshje midis partnerëve evropianë dhe transatlantikë, atëherë, sigurisht, po”, citohet të ketë thënë Merz, shkruajnë mediat e huaja.

Ai ka shtuar se nëse Rusia nuk zbaton ultimatumin, ai është i gatshëm t’i sigurojë Ukrainës raketat me rreze të gjatë veprimi Taurus dhe autorizojë sulme në territorin rus.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Lidhur me këto deklarata, një postim e ka bërë edhe Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme i Ukrainës.

“Unë jam i hapur ndaj tij dhe kam sugjeruar t’i jepet qeverisë në Kiev të drejtën për të thënë: Nëse bombardimi i civilëve nuk ndalet brenda 24 orëve, kufizimet e armëve me rreze të gjatë do të hiqen bashkërisht. Nëse kjo nuk mjafton, raketat Taurus do të dorëzohen një javë më vonë, kjo do t’i mundësonte Ukrainës të rimarrë iniciativën”, citon Gerashchenko të ketë thënë Merz në një intervistë me Stern.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Mediat kujtojnë se më 20 shtator, kancelari gjerman Olaf Scholz përsëriti kundërshtimin e tij për furnizimin e Ukrainës me raketa Taurus.

Më herët, më 14 shtator, Scholz tha se nuk do të lejojë Ukrainën të përdorë armë gjermane për sulme në territorin rus, “edhe nëse vendet e tjera marrin vendime të ndryshme”.

“Me gjithë thirrjet e shumta, unë nuk do të furnizoj (Ukrainën) me raketa lundrimi që mund të arrijnë në Moskë. Unë mund t’ju siguroj dhe do t’ju siguroj: do t’i qëndroj këtij pozicioni”, ka thënë ai.

Koalicioni qeverisës i Gjermanisë “u shemb” pasi Scholz shkarkoi ministrin e financave Christian Lindner më 6 nëntor, shkarkim që u pasuar nga ministra të tjerë.

Pas kësaj, në këtë vend, zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme pritet të mbahen në mars të vitit 2025.

YouTube player