Kancelari austriak takon sot Putinin, Nehammer: Do të bëj gjithçka për të ndalur luftën
Kancelari austriak Karl Nehammer do të bëhet lideri I parë europian që do të zhvillojë bisedime ballë për ballë me presidentin Vladimir Putin që kur Moska nisi luftën në Ukrainë, më 24 shkurt.
Nehammer udhëton të hënën në kryeqytetin rus, në atë që siç tha do të jetë një mision i rrezikshëm, por me qëllimin e ndërtimit të urave mes Moskës dhe Kievit. Kancelari tha se do të bëjë gjithçka të mundur për të ndalur luftën dhe për të lehtësuar ndërmarrjen e hapave në drejtim të paqes.
Ne jemi ushtarakisht neutralë, por kemi një qëndrim të qartë për agresionin rus kundër Ukrainës. Ai duhet të ndalet! Nevojitet hapja e korridoreve humanitare, një armëpushim dhe hetim i plotë i krimeve të luftës”, deklaroi austriaku.
Sipas agjencisë së lajmeve Afp, Nehammer planifikon të diskutojë për çështjen e krimeve të luftës që kanë ndodhur në qytezën e Buchës, gjatë vizitës në Moskë. Do të synohet gjithashtu ndërmjetësimi i dialogut të mundshëm mes Putin dhe Zelneskit.
Të shtunën Nehammer vizitoi Kievin ku u takua me presidentin Volodimir Zelensky. Austria nuk është shtet anëtar i NATO-s, pasi u vetë-shpall si shtet neutral në 1955-n. Shteti alpin nuk i ka dërguar armë Ukrainës, por vetëm ndihma humanitare, mburoja dhe helmeta.
Rruga Press