Kanadaja hap konsullatën e parë në Groenlandë pas deklaratave të Trump
Kanadaja do të hapë konsullatën e saj të parë diplomatike në Groenlandë, në një hap të rëndësishëm politik dhe diplomatik që vjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen nën kontroll të territorit.
Një delegacion i nivelit të lartë kanadez, i kryesuar nga Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe ministrja e Jashtme Anita Anand, mbërrin të premten në Nuuk për inaugurimin zyrtar të konsullatës. Delegacioni shoqërohet edhe nga një anije e Rojës Bregdetare Kanadeze.
Në një fjalim përpara vizitës, Mary Simon deklaroi se Kanadaja “qëndron fuqishëm në mbështetje të popullit të Groenlandës, i cili do të vendosë vetë për të ardhmen e tij”.
Hapja e konsullatës kanadeze përkon me një vizitë të ngjashme të zyrtarëve francezë, të cilët po ashtu do të inaugurojnë konsullatën e tyre në Groenlandë po të njëjtën ditë. Deri më tani, vetëm Islanda dhe Shtetet e Bashkuara kishin përfaqësi konsullore zyrtare në Nuuk.
Ky zhvillim shihet si një sinjal i qartë i mbështetjes së aleatëve të NATO-s ndaj Groenlandës, pas deklaratave të përsëritura të Trump se SHBA-ja duhet ta “zotërojë” territorin për arsye të sigurisë kombëtare. Presidenti amerikan më pas i zbuti këto deklarata, duke thënë se po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje pas bisedimeve me Danimarkën, aleatët evropianë dhe Kanadanë.
Konsullata ishte paralajmëruar që në fillim të vitit 2024, gjatë rishikimit të politikës së jashtme arktike të Kanadasë. Fillimisht e planifikuar për fundin e vitit 2025, hapja u shty për shkak të kushteve të pafavorshme të motit.
Sipas profesorit Michael Myers nga Universiteti i British Columbia, konsullata ka një rëndësi të veçantë për shkak të lidhjeve të ngushta mes Groenlandës dhe Kanadasë arktike. Ai thekson se kryeqyteti i territorit kanadez Nunavut, Iqaluit, ndodhet vetëm një orë fluturim larg nga Nuuk.
Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, me prejardhje inuit, është guvernatorja e parë kanadeze që viziton Groenlandën që nga viti 1982. Vizita e saj konsiderohet si një konfirmim simbolik i lidhjeve kulturore dhe etnike mes komuniteteve inuit të Kanadasë dhe Grenlandës.
Nga ana e tij, Natan Obed, president i organizatës Inuit Tapiriit Kanatami, tha se hapja e konsullatës është rezultat i viteve të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit mes komuniteteve inuit. Rreth 50 inuitë nga Kanadaja pritet të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit në Nuuk.
Arktiku është cilësuar prej vitesh si një zonë strategjike dhe e ndjeshme për sigurinë e Kanadasë. Qeveria e kryeministrit Mark Carney ka premtuar një prani të përhershme ushtarake në rajon dhe investime mbi 1 miliard dollarë kanadezë në infrastrukturën veriore.
Ministrja e Jashtme Anita Anand e ka cilësuar mbrojtjen e Arktikut si një prioritet kyç të sigurisë kombëtare të Kanadasë.
Përveç inaugurimit të konsullatës, Mary Simon do të zhvillojë një takim me kryeministrin e Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ndërsa Anita Anand do të takohet me homologen e saj, Vivian Motzfeldt.
Rruga Press

