Kampionia olimpike ruse ngjajshëm si Putini: Rusia po e çliron Evropën nga fashizmi
Një nga sportistet më të mëdha ruse të të gjitha kohërave, Svetlana Khorkina, ka tronditur sërish me qëndrimin e saj për agresionin e vendit të saj mbi Ukrainën.
Khorkina, fituese e shtatë medaljeve olimpike në gjimnastikë, prej tyre dy të arta, kohëve të fundit ishte shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të deklaratave të saj fort të diskutueshme.
Kështu, pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, ajo deklaroi se kjo sëmundje ishte ndëshkim i Zotit për qëndrimin e Perëndimit ndaj Rusisë.
“E gjithë kjo ndodhi për shkak të sulmit ndaj Rusisë dhe atletëve të saj. Himni ynë nuk thotë pa arsye se Zoti e mbron vendin tonë dhe ky është një lloj ndëshkimi i Zotit”, pati thënë Khorkina në fillim të vitit 2020.
Gjimnastja që ka 9 medalje të arta botërore dhe 13 evropiane ka dalë sërish në qendër të vëmendjes, duke komentuar luftën në Ukrainë.
“Përkrahni luftëtarët tanë. Ushtarët rusë po e çlirojnë Evropën nga fashizmi, përsëri”, shkroi Khorkina në Instagram, për çka shkaktoi reagime të shumta.
Ajo është parë në shumë raste në prani të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Bota perëndimore ka dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, duke i vënë sanksione të shumta këtij vendi, por edhe politikanëve dhe biznesmenëve të afërt me Putinin.
Rruga Press