Kamerat tregojnë qartë sulmet e kolonëve izraelitë – Policia arreston vetëm palestinezët
Dhjetëra kolonë izraelitë kanë sulmuar të premten një fshat palestinez në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, duke rrahur banorët me shkopinj dhe gurë – një ngjarje që është kapur qartë nga kamerat e sigurisë. Video që e posedon “Associated Press” dhe dëshmitë nga dëshmitarët palestinezë duket se bien ndesh me informacionet që u ofruan nga policia dhe ushtria e Izraelit, e cila arrestoi mbi 20 palestinezë më pas.
Dhuna në fshatin Jinba erdhi pas një sulmi të kolonëve në fillim të javës në një fshat afër, ku Hamdan Ballal, regjisor palestinez, u rrah para se të arrestohej nga ushtarë izraelitë.
Videot ofrojnë imazhe të sulmeve të kolonëve të cilat palestinezët në Bregun Perëndimor thonë se tani ndodhin shpesh. Ata thonë se kolonët radikalë hebrenj rrallë, në mos kurrë, përballen me pasoja për sulmet ndaj palestinezëve, ndërsa palestinezët shpesh grumbullohen në turma dhe arrestohen nga forcat izraelite.
Kolonët vendosen në Jinba
AP-ja ka marrë pamje nga dy kamera sigurie të familjes Al-Amur, shtëpia e së cilës u sulmua. Pamjet nga njëra kamerë tregojnë automjetet që me shpejtësi shkojnë në fshat.
Një numër kolonësh dalin nga to dhe britmat e grave palestineze dëgjohen. Kolonët rikthehen në pamjet e kamerave dhe të paktën 15 prej tyre shihen qartë nga kamera.
Shumica janë të maskuar, të paktën tre kanë shkopinj, dhe njëri është i armatosur me pushkë. Njëri mund të shihet duke hedhur një gur, më pas ulet për të mbledhur të tjerë.
Oula Awad tregoi se pa kolonët që afroheshin në mëngjes derisa ishte me vajzën e saj jashtë shtëpisë. Djali i saj Qusai, 17 vjeç, dhe bashkëshorti, Azizi 63 vjeç, po bëheshin gati për lutjet e mëngjesit kur kolonët u afruan.
Në pamjet e kamerave shihet ajo dhe vajza, Handa, që bërtasin dhe thirrin për ndihmë. Kolonët i afrohen Qusait dhe fillojnë ta godasin me shkopinj teksa ai përpiqet të ikë. Një kolon tjetër e godet në kokë me gur, duke e rrëzuar përtokë. Katër kolonë të tjerë e godasin dhe e rrahin sërish.
Awad ka thënë se kolonët izraelitë e mbyllën atë dhe vajzën në një dhomë derisa djalin e vogël të saj dhe bashkëshortin i rrahën.
Pesë palestinezë janë shtruar në spital. Azizi pati lëndime në kraharor dhe iu nënshtrua një operimi për fraktura të kokës; Ahmedi, 16 vjeç, është në kujdes intensiv. Qusai mbeti me krahun e thyer, mavijosje e prerje. Një tjetër fshatar, Maher Mohammed, po ashtu pati mavijosje dhe prerje, ashtu si djali i tij Osama.
Nidal Younis, kreu i këshillit të zonës Masafer Yatta, ishte dëshmitar i sulmit dhe u arrestua nga policia dy orë më vonë. Ai ka thënë se ushtarët që shkuan aty pas sulmit i ndaluan palestinezët nga fshatrat përreth të ndihmonin.
Policia dhe ushtria ofrojnë informacione kundërthënëse
Pas sulmit, policia izraelite ka thënë se ka arrestuar 22 palestinezë nga fshati nën dyshimin për hedhje të gurëve dhe katër prej tyre është duke i hetuar.
Ata kanë shtuar se palestinezët i kishin sulmuar dy kolonë.
“Forcat e sigurisë i marrin seriozisht rastet e sulmeve në zonë, dhe do të ndërmarrin veprime për të sjellë para drejtësisë ata që janë të përfshirë”, ka thënë policia. Por, nuk u përgjigjën se pse nuk u arrestua asnjë izraelit civil.
Ushtria dha një version më ndryshe, duke thënë se një civil izraelit ishte sulmuar nga militantët.
Më pas, tha se “një konfrontim i dhunshëm u zhvillua mes një numri civilësh izraelitë dhe palestinezë”, duke lënduar një tjetër civil izraelit.
Masafer Yatta është përcaktuar nga ushtria izraelite si zonë stërvitjeje në vitet 1980 dhe ushtria ka urdhëruar dëbimin e banorëve, kryesisht beduinë arabë. Rreth 1,000 banorë kanë mbetur në vend, por ushtarët rregullisht shkojnë për t’ua shkatërruar shtëpitë, tendat, rezervuarët e ujit e kopshtet.
Palestinezët dhe grupet për të drejtat e njeriut thonë se forcat izraelite zakonisht e mbyllin njërin sy ose ndërhyjnë në krah të kolonëve.
Lufta në Gaza ka nxitur një valë dhune në Bregun Perëndimor, me ushtrinë e Izraelit që kryen operacione ushtarake në shkallë të gjerë që ka vrarë qindra palestinezë dhe zhvendosur dhjetëra mijëra. Ka pasur rritje të dhunës së kolonëve, si dhe sulmeve të palestinezëve ndaj izraelitëve.
Rruga Press