Kamberi përfundon mandatin në parlamentin serb: Vetëm gjashtë deputetë opozitarë përballë pushtetit autoritar të Vuçiqit
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se të hënën ka përfunduar mandatin si deputet në këtë legjislaturë dy-vjeçare, bashkë me kolegët e Grupit të tij Parlamentar.
Kamberi nëpërmjet një postimi në Facebook, ka treguar se ishin vetëm gjashtë deputetë opozitarë përballë 244 deputetëve të shumicës parlamentare, gjë që sipas tij edhe po të ishin më shumë në numër, nuk do të ndryshonte diçka konkrete në politikën dhe vendimet e shumicës parlamentare të një, siç e quan ai, pushteti autoritar të Aleksandar Vuçiqit.
“Deputetët nga Lugina në Kuvendin e Serbisë marrin kuptim dhe vlerë nga politika që përfaqësojnë dhe ushtrojnë, jo vetëm nga prania ose numri i tyre. Personalisht jam përpjekur me ushtruar përfaqësimin tim siç kam besuar dhe aq sa kam ditur”, ka shkruar ai.
Kamberi më tej njoftoi se ka dhënë maksimumin për t’i përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve që kam përfaqësuar interesin e rajonit prej ku është deleguar, por se është përballur me një pushtet jodemokratik.
“Kam ngritur tema. Me prioritet ato nga Lugina e Preshevës, por edhe ato që shpërfaqin pushtetin autoritar dhe karakterin hegjemonist të Serbisë së sotme të Aleksandër Vuçiqit. Një pushtet antipaqe dhe jodemokratik. Shpërfaqja e diskriminimit shtetëror mbi baza kombëtare të shqiptarëve dhe të shtypjes socio-ekonomike të Luginës së Preshevës, çështja e mohimit të gjenocidit e krimeve të luftës dhe politika shtetërore e glorifikimit të kriminelëve të dënuar, institucionalizimi i gjuhës raciste, aspiratat hegjemoniste rajonale të pushtetit në Serbi, instrumentalizimi i drejtësisë dhe i policisë nga pushteti, thellimi i pabarazive dhe padrejtësive, mungesa e politikave të mira në arsim, shëndetësi, mjedis, politika publike dhe mbrojtje sociale, ishin disa nga temat për të cilat jam shprehur gjatë paraqitjeve të mia”, shkroi ai.
Deputeti shqiptar më tej tha se nuk i duhet të bëhet pjesë përbërëse dhe partner i këtij lloj pushteti.
“Nuk kemi aktualisht në Serbi ndonjë forcë serioze demokratike dhe progresive politike që meriton të bëhemi pjesë përbërëse ose partnere e saj, qoftë direkt në qeveri, qoftë indirekt në parlament me pseudo-opozitarizëm. Kemi nevojë për përfaqësim dinjitoz dhe të vërtetë opozitar në parlament, që sensibilizon bashkësinë ndërkombëtare dhe që rrit presionin politik e institucional ndaj pushtetit në Beograd për çështjen e Luginës së Preshevës në veçanti dhe për demokracinë në përgjithësi”, ka shkruar Kamberi.
Ai më tej njoftoi se qëllimi i tij ndaj Beogradit zyrtar është të implementohet tri marrëveshjet për Luginën e Preshevës për të cilat është marrë obligim me prani ndërkombëtare.
“Implementimi i marrëveshjeve për Luginën e Preshevës nga Qeveria e nesërme e Serbisë duhet të jenë kërkesa, kushti, synimi dhe qëllimi jonë ndaj Beogradit zyrtar. Nuk kemi nevojë për poste ministrash e sekretaresh për përfitime personale në pushtetin e Vuçiqit dhe të opozitës së sotme në Serbi që mund të bëhet pushtet pas zgjedhjeve të 3 prillit, por për implementimin e marrëveshjeve për Luginën e Preshevës dhe për liri, zhvillim, drejtësi e barazi kolektive”, ka shkruar ai.
Rruga Press