Kabineti i Presidentit të KE-së: Shqipëria ndodhet në një moment kritik!
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, priti më 9 shkurt, kryeministrin Edi Rama në një darkë pune në Bruksel.
Ata diskutuan për hapat që do të ndërmerren në vijim sa i takon procesit të negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Shqipëria ndodhet në një moment kritik. Janë bërë përpjekje të rëndësishme gjatë viteve. Tani ato duhet të mbështeten dhe të konsolidohen”, bën me dije ekskluzivisht për Klan News kabineti i Presidentit të KE.
“Kryeministri Rama konfirmoi se reformat kyçe, veçanërisht në gjyqësor, të drejtat themelore dhe luftën kundër korrupsionit, mbeten përparësi kryesore. Presidenti Costa riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara ato“, thuhet më tej reagim.
Rama u thirr në Bruksel pas ngërçit me çështjen e Belinda Ballukut. Partia Socialiste refuzon të japë autorizimin që ka kërkuar SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres dhe paralajmëron ndërrimin e kodit penal, për të shpëtuar anëtarë të Qeverisë.
Rruga Press

